Koço Kokëdhima: Mafia e drogës rrezikon zgjedhjet, Rama të largojë trafikantët!

17 Mars 2017, 13:04Kronika TEMA

Ish- deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima kërkon largimin e njerëzve të lidhur me trafikantët e drogës nga Partia Socialiste dhe nga policia, pas shifrave të frikshme që publikoi raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit. Në një status në rrjetet sociale, Kokëdhima shkruan se “mafia e drogës ka krijuar një fuqi financiare të pakrahasueshme dhe është në gjendje të afektojë zgjedhjet, parlamentin, qeverinë, mediat, drejtësinë dhe të gjitha institucinet e tjera të vendit. Ajo do të rrezikojë edhe zgjedhjet e 18 qershorit”.

Ish deputeti socialist dhe një prej ish miqve të ngushtë të Edi Ramës i kërkon kryeministrit të largojë politikanët e lidhur me trafikantët e drogës, duke ripërsëritur idenë e tij se zgjidhja e vetme është legalizimi i kanabisit farmaceutik.

Më poshtë është statusi i drejtuesit të Lëvizjes “Zgjidhja” pas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për drogën, trafikun dhe pastrimin e parave:

“Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi luftën ndaj trafikut të drogës për vitin 2016 e vendosi Shqipërinë në vendet kryesore të burimit të marijuanës. Ashtu siç kam deklaruar disa herë prej verës së shkuar, vendi ynë në 2016-ën pati një shtim të plantacioneve me kanabis. Droga shqiptare, e mbjellë anekënd vendit vijon të trafikohet me ritme të larta, arrin të kapërcejë kufijtë e Shqipërisë dhe të kapet nga policitë e vendeve fqinje. Policia e Shtetit sigurisht këtu ka “meritën” kryesore që e kanabizoi gjithë vendin, zyrtarët e saj taksuan trafikantët 20-30 për qind të vlerës.

Pasojat e këtij aktiviteti kriminal me përmasa dhe dëme kombëtare do të ndikojnë gjatë në jetën e shqiptarëve. Paratë e nxjerra nga ky biznes kriminal, thotë raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, pastrohen lehtësisht dhe investohen në prona të patundshme dhe në projekte për zhvillimin e biznesit. Por, siç e kam theksuar edhe më parë, mafia e drogës ka krijuar një fuqi financiare të pakrahasueshme dhe është në gjendje të afektojë zgjedhjet, parlamentin, qeverinë, mediat, drejtësinë dhe të gjitha institucinet e tjera të vendit. Ajo do të rrezikojë edhe zgjedhjet e 18 qershorit.

Rrënjët e problemit duhet t’i gjejmë te qeverisja dhe prej andej do të vijë edhe zgjidhja. Ne kemi një popullsi të madhe në fshat dhe një bujqësi të braktisur, e cila kërkon strategji, politika, investime dhe projekte të mirëmenduara, kërkon subvencionim me të paktën 150 milionë dollarë në vit vetëm nga burimet e brendëshme të buxhetit, rregullimin e tregut të tokës dhe garantim të tokës nga shteti për çdo investim serioz e domethënës për eksportin, investime në infrastrukturë, grumbullim e përpunim, politika doganore mbrojtëse për prodhimet vendase etj, që nuk janë bërë nga asnjë qeveri, as nga qeveria e Ramës. ZGJIDHJA ka prezantuar programin e saj për kanabisin që është realist, i mundshëm, efektiv dhe në përputhje me trendet kulturore dhe të tregjeve në botën e civilizuar. Shqipërisë i duhet legalizimi i marijuanës për qëllime farmaceutike dhe industriale, dekriminalizimi i përdorimit, kontrolli i plotë dhe absolut i shtetit mbi prodhimin, përpunimin dhe shpërndarjen e produkteve dhe nënprodukteve të saj, kontrolli dhe pastrimi i policisë nga çdo person i implikuar. Legalizimi e kthen kanabisin në një të mirë për popullin dhe buxhetin e shtetit, moslegalizimi e mban atë si parajsë ekskluzive të mafies, ndërsa të gjithë funksionarët e policisë që janë implikuar me prodhimin ilegal dhe me trafikimin e marijuanës cenojnë sigurinë e vendit duhet të largohen nga shërbimet e policisë së shtetit. Partia Socialiste duhet të largojë nga qeveria dhe parlamenti politikanët dhe zyrtarët e lartë të saj që janë përfshirë direkt ose indirekt me trafikantët dhe trafikun e marijuanës”.

1 komente në “Koço Kokëdhima: Mafia e drogës rrezikon zgjedhjet, Rama të largojë trafikantët!”

  1. valentina says:

    PO KU ISHE TI MORE PISANJOS PARA SE TE HIQNIN MANDATIN SI DEPUTET?KUSH ESHTE AI QE TE BESON TY TANI MORE ZVARRANIK PSE PARA PESE MUAJSH ISHTE NE RREGULL QEVERIA KUR ISHETI?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje