Me shpërthimin e rrjeteve sociale, lajmet e rrema janë bërë pjesë gjithmonë e më e rëndësishme e luftës politike jo vetëm në Shqipëri, por në shumë prej vendeve të zhvilluara.
“Fake News” u përdorën gjerësisht gjatë fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa vetëm pak ditë më parë, “BBC” publikoi një artikull në të cilin analizonte peshën që lajmet e rrema janë duke luajtur aktualisht në fushatën elektorale në Francë.
Kjo është një listë me lajmet më të bujshme të rreme, që janë publikuar rishtaz në Shqipëri.
Përmes “Qytetarit Dixhital”, në rrjet qarkulloi përpara disa muajsh lajmi i “lajthitjes” së qeverisë, e cila kishte lyer trenat me ngjyrat në të cilat Partia Socialiste u identifikua në fushatën e fundit zgjedhore. Lajmi u mbështet edhe me një foto ku dukej qartë treni i lyer rishtaz. Të nesërmen e hedhjes në rrjet, lajmi u përgënjeshtrua nga këngëtarja Elvana Gjata, e cila mori përsipër lyerjen e trenit për llogari të një videoklipi të saj.
Në mesin e një sulmi të vazhdueshëm ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, PD hodhi në media një foto që tregonte thasë të tërë me drogë, çka u konsiderua prej tyre si provë e qartë e lidhjes së qeverisë me mafian siçiliane. Bes Kallaku, aktori i mirënjohur i “Portokallisë” sqaroi se fotoja i ishte dërguar “Qytetarit Dixhital” nga ana e tij dhe se ishte marrë nga provat e spektalit të humorit.
Një portal anonim në Itali publikon një lajm për zhdukjen e 1 400 kontenierëve me lëndë toskike në Shqipëri. Lajmi publikohet gjerësisht nga portalet e afërta me opozitën, fiton vëmendje kombëtare, madje ripublikohet edhe në disa gazeta të mëdha italiane. “Shqiptarja.com” kontaktoi autoritetet italiane, si pjesë e një investigimi të saj mbi ngjarjen dhe rezultoi se lajmi nuk kishte asnjë bazë. Ngarkesa jo vetëm nuk ishte nisur ndonjëherë nga porti siçilian i Giulia Tauros, për as nuk kishte ekzistuar ndonjëherë.
Portalet online publikojnë gjatë 2016-s një foto të të shumëkërkuarit, Klement Balilit, duke shëtitur në Sarandë. Lajmi merr dhenë dhe përdoret menjëherë nga opozita për të inkriminuar policinë, por pas një hetimi të imtësishëm rezulton se fotoja ishte e disa viteve më parë, kohë kur mbi Balilin nuk rëndonte asnjë akuzë.
Përmes “Qytetarit Dixhital”, ish-Kryeministri poston plantacionet e mbjella me hashash në Fier dhe Lushnje. Foto origjinale tregon se plantacionet janë në Kolorado dhe Zvicër.
Lajmi i rremë për ardhjen e 1 400 kontenierëve me lëndë radioaktive në Shqipëri u shoqërua me postimin e fotove të kamionëve që bënin këtë transport, të shoqëruar edhe nga makina policie. Një verifikim i thjeshtë nxorri se kamionët ishin në pronësi të TAP dhe transportinin pjesë të gazsjellësit që është në ndërtim në vend. I përballur me faktet, autori i atij manipulimi, ish-Kryeministri Berisha hoqi përgjegjësinë nga vetja duke pretenduar se nuk kishte përse të verifikonte lajmet që ai vetë publikon.
Statistika të porositura, që më pas serviren si “shuplaka” të opinionit ndërmbëtar ndaj qeverisë, siç ishte ajo e lirisë ekonomike të “Heritage Foundation”, ku Shqipëria humbi 11 vende. Një muaj përpara publikimit, në 20 janar 2017, Basha u takua me Jim DeMint, presidentin e fondacionit, njëkohësisht edhe lobuesin e tij kryesor në Uashington. Pavarësisht rënies në këtë renditje, Shqipëria pozicionohej përsëri më lart se Franca, Spanja apo Italia, një e dhënë që flet qartë për seriozitetin e klasifikimit.
A keni dëgjuar ndonjëherë për një farë Jason Emert? Nëse jo, dita më kulmore e karrierës së tij ishte dita kur pasi foli në çadrën e opozitës dhe u etiketua nga Basha si këshilltari personal i Presidentit Trump. Në të vërtetë, 32 vjeçari vështirësisht i gjetshëm edhe në “Google”, nuk ka asnjë lidhje as me Trump dhe as me Republikanët. Emert është vetëm ish-presidenti i një shoqate rinore, e financuar nga lobi grek në SHBA.
Mashtrimi me ftesat në ditën e inagurimit të Presidentit Trump është një rasti klasik i “Fake News” që pushtojnë portalet shqiptare. Ndonëse faqja zyrtare e Komisionit të Përgatitjes së Ceremonisë së Inagurimit shkruante qartësisht se kryeministri i Kanadasë, Trudeau dhe ai i Izraealit, Netaniahu ishin të vetmit që kishin marrë një ftesë zyrtare, Basha dhe Mediu pretenduan publikisht se edhe ata ishin të ftuar. Të vendosur nën presionin publik, në vend të ftesës ata publikuan një biletë, të njëjtë me bilatat që qindra mijëra amerikanë blenë për të qenë të pranishëm në mitingun e mbledhur përpara Capitol Hill, me rastin e inagurimit.
Përsëri një denoncim i opozitës, për një parcelë të stërmadhe me hashash e mbjellë në Shkodër. Madje në foto duken edhe dy djem që bëjnë foto në mes të bimëve të marjuhanës. Denoncimi përfundon me një kërcënim për denoncim ndaj PD-së, nga personi që duket në foto dhe që pretendon se i është vjedhur e drejta e autorit. Fotoja ishte marrë nga një plantacion kanabisi me leje, i rritur në Holandë.
Lajmet e reme jane derguar edhe nga Maqedonia dhe Shqiperia!
e sa e sa te tjera, pa fund marrezite dhe mashtrimet e PDse. Vetem me keto kerkon ajo te mbijetoje e helmoje pinionin publik, Tjeter gje, a di te beje PD-ja?