LUP-JAVA, Kategoria Superiore java e 26-të, Kampionati i “makthit”!

19 Mars 2017, 22:39Sport TEMA

Nga Ervin Baku

E 26-ta e uli siparin. Për t’ia lënë vendin ndeshjes së Kombëtares sonë me kampionët e botës (jo ata në fuqi), Italinë. Për të marrë “frymë” e për të startuar më pas me javën e fundit të fazës së tretë. Makth! Vërtetë një garë e ethshme! Shikojeni ecurinë dhe ngjeshjen e skuadrave dhe do të bindeni.

Tre rivalët për titull në diferencë prej dy pikësh. Rivalitet dhe dëshirë për të qenë i katërti. Pasi ku i dihet, mundësia Europë ekziston. Pjesa tjetër, nga Vllaznia e deri tek Flamurtari, në luftë për ekzistencë. “Rrumpalla” e edicioneve të fundit ia ka lënë vendin betejave sportive. S’ka më bukur. Skënderbeu, në duelin më të rëndësishëm, nuk ruan qetësinë dhe në minutat e fundit të lojës mbërthehet nga makthi. Kukësi barazon. Duke pllakosur heshtjen në Korçë. Vëndasve i “hahet” një penallti e qartë. Edhe në Angli do jepej. Por makthi siç duket kishte zënë edhe Metën, kryesorin nga kryeqyteti.

Përkundër kësaj, merita i shkon Kukësit që diti të bëjë “Kukësin”. Të mos humbë dhe në sfidën më të vështirë sezonale. Dy të “kuqtë” (kupto uniformat e skuadrave) Partizani dhe Korabi, e kopsisin verdiktin që në fraksionin e parë. Autogoli i Premçit dhe goli i Ekuban në harkun e dy minutave (30-32) i mjaftojnë Partizanit për të bërë detyrën dhe gjetur bashkëkryesimin me verilindorët. E nëse historia e kreut përkufizohet si duel me “pak” të panjohura, ndërsa skuadrat që synojnë trofeun mbeten tri, asgjë e qartë për ato të fundit. Çuditërisht në atë valle janë përfshirë plot pesë skuadra. Sepse Korabi nuk llogaritet në “aksiomë”. Në Shkodër, e fundit sfidë e javës, nuk ka certifikatë fituesi. Vllaznia shënoi, por më pas gjyqtarët e “drodhën” dhe thanë ka një prekje me dorë para se topi të falej me rrjetën. Ka dhe shtyllë…!

Të kuq për Prognin e Teutës pas dy kartonave të verdhë. Disi banale. Në Gjirokastrën “lule”, ka pranverë! Bluzinjtë thyejnë qetë-qetë Tiranën e “braktisur” nga vetë “tironcit’. Ecuri e jashtëzakonshme dhe shpresë. Me sytë nga Skënderbeu. Formula e do që skuadra e Miinkoviç të bëjë tifo në distancë për shpalljen kampion të korçarëve. Vendi i katërt me këtë “procedurë” të dërgon në Europa Legaue. Te Tirana, asfiksia vepron pa ndrojë. Edhe Josa trajneri kampion, gati të “pëlcasë”. Punë javësh! Në Laç një tjetër finale, të tjera “makthe”. Flamurtari i shumë halleve thyhet nga bardhezinjtë me një gol të Nikës.

Vendasit luajnë presing për gjatë 90 minutave dhe në fund festojnë duke ia lënë vendin e zonës së ftohtë pikërisht kuqezinjve nga Vlora. Dhe Duros nuk po i dalin llogaritë. Tekniku me përvojë shigjeton të tijtë duke i quajtur frikacakë. Nëse një javë më parë kurbinasit u ndëshkuan më një penallti të dyshimtë, të shtunën protestuan fort për një të tillë në fund të pjesës së parë. Fitorja e fshiu…! Kampionat i “makthit”? Zhvillimet e javës dhe përshkrimi i “Lup-Javës” e mishërojnë atë.

1 komente në “LUP-JAVA, Kategoria Superiore java e 26-të, Kampionati i “makthit”!”

  1. ??? says:

    C’eshte ky shkrim idiot dhe aspak serioz?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje