Krasniqi: Titullin e fitojmë edhe në Korçë

28 Mars 2017, 16:26Sport TEMA

Partizani përballë Skënderbeut, për një fitore që do të vlente dyfish në garën për titullin. Pasi fituan me përmbysje në Korçë në duelin e fundit, të kuqtë kërkojnë suksesin në shtëpi, për ta mbyllur fazën e tretë të kampionatit në krye dhe për tu shkëputur nga një rival direkt. Sipas mbrojtësit Gëzim Krasniqi, Partizani do të fitojë, edhe falë mbështetjes së tifozëve, por mbrojtësi kërkon që skuadra të mbetet me këmbë në tokë.

“Besimi ynë është forca e grupit që kemi. Jemi gjithmonë të bashkuar dhe mendoj që do tia dalim me sukses edhe në këtë ndeshje. Përkrahjen e tifozëve e kishim edhe në Korçë, por tashmë do ta kemi edhe dhjetë herë më tepër. Do ti mundim edhe këtu. Do ti marrim ndeshjet një nga një. Nuk mund të themi se do të fitojmë me Skënderbeun dhe fituam titullin. Ka ende edhe dhjetë ndeshje deri në fund të kampionatit dhe çdo ndeshje vlen tre pikë.”

Pauza për ndeshjet ndërkombëtare ndoshta nuk erdhi në momentin më të përshtatshëm, sepse Partizani u detyrua të ndërpriste ecurinë fantastike në fushë, me 5 fitore në shtatë ndeshjet e fundit. Megjithatë, kryeqytetasit mbeten entuziastë në rrugën drejt titullit.

“Kjo periudhë na bëri mirë, sepse skuadra u plotësua edhe pas mungesave që kishte. Grupi tashmë është i plot dhe jemi të gjithë të gatshëm. Entuziazmi do të vazhdojë. Është një ndeshje e fort, por që duhet ta fitojmë.”

Me kampionatin që po shkon drejt një finaleje direkte për titullin, nuk përjashtohet që ekipi kampion të caktohet në javën e fundit. Ky fakt nuk e tremb Krasniqin, që përkundrazi dëshiron të shpallet kampion pikërisht në Korçë, duke shkurorëzuar Skënderbeun pas gjashtë titujve radhazi.

“Shpresojmë që të shkojë gjithçka edhe në javën e fundit përsa i takon titullit. Edhe nëse do të luajmë në trasfertë me Skënderbeun në ndeshjen e fundit. Shpresoj që të shkojmë me pikë të barabarta për ta fituar titullin në Korçë. Të dyja (Kukësi dhe Skënderbeu) janë skuadra të forta dhe jemi tre ekipe në garën për titullin kampion. Mendoj që të dy ekipet rivale janë të rrezikshëm, por më të rrezikshëm do të shfaqemi ne.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje