Elseid Hysaj i ka idetë e qarta për pjesën e mbetur të sezonit futbollistik. Mbrojtësi i Napolit, në një intervistë për median italiane, është shprehur se objektivi kryesor i skuadrës është vendi i dytë në kampionat, që e kualifikon atë drejtpërdrejt në fazën e grupeve të Champions League.
“Mendimi ynë duhet të jetë sigurimi i vendit të dytë. Shumë pak vetë e besojnë këtë, por ne jemi një grup dhe duam kualifikimin direkt në Champions League”, tha Hysaj.
Ndeshjen e radhës në kampionat, Napoli do ta ketë me Udinesen dhe, sipas Hysajt, në këtë përballje nuk duhet bërë as gabimi më i vogël.
“Udinese mund të na hapë probleme, pasi është një skuadër që vendoset mirë në fushë. Por ne do të stërvitemi dhe do të bëjmë më të mirën e mundshme. Sigurisht që do të ishte fantastike sikur të fitonim titullin, pasi kjo do të bënte të lumtur të gjithë tifozët tanë. Për mua, të stërvitem së bashku me futbollistë si Insigne, më ndihmon për t’u përballur me skuadra të një niveli të lartë”, deklaroi Hysaj.