Agolli: Titulli më i vështirë, rinovoj me Qarabag

17 Prill 2017, 17:52Sport TEMA

Katër tituj kampionë radhazi në Azerbajxhan. Ansi Agolli dhe Qarabagu festuan një trimf të merituar, duke u konfirmuar si skuadra më e mirë azere. Megjithatë, rrugëtimi nuk ishte aspak i lehtë.

“Ishte titulli i katërt dhe ishte titulli më i vështirë. Kjo për disa arsye: së pari konkurrenca është shtuar dhe së dyti sepse gjatë këtij viti jemi kushtëzuar nga dëmtimet. Megjithatë skuadra tregoi karakter, por e rëndësishme është që e fituam kampionatin, i cili është një nga objektivat kryesorë të klubit.”

Tashmë Qarabagu kërkon triumfin edhe në Kupën e Azerbajxhanit, për t’i fituar të dy trofetë në vend për të tretin vit radhazi. Shumë shpejt festa do t’i lejë vendin përgatitjeve për finalen me Qabala-n.

“Objektivi është që t’i fitojmë të dy trofetë. Tashmë po festojmë sepse sapo e fituam kampionatin, por shumë shpejt do të nisin edhe përgatitjet për finalen e Kupës, që do të luhet më 5 Maj. Ndeshemi me një skuadër (Qabala) që e kemi patur rival gjatë gjithë vitit. Ata janë një skuadër mjaft e mirë dhe do të jetë një ndeshje e fort.”

Në moshën 34-vjeçare Ansi Agolli po përjeton një tjetër perudhë të artë në karrierë. Mbrojtësi nuk ka ndërmend të ndalet, ndërsa zbulon edhe të ardhmen.

“Është një kënaqësi mjaft e madhe, që në karrierën time kam fituar disa trofe, përfshirë këtu edhe trofetë e fituasra me Tiranën në Shqipëri. Megjithatë, një futbollist nuk ndihet i kompletuar nga ana profesionale edhe në ditën e fundit kur largohet nga sporti. Unë mundohem që të përmirësohem dhe këtë e bëj ditë opas dite me stërvitje. Mendoj që e ardhmja ime është e qartë dhe shumë shpejt besoj që do të konkretizohet me një kontratë të re me Qarabagun. Objektivat e skuadrës janë të qarta: përveç finales së Kupës, kemi si objektiv edhe pjesëmarrjen në Champions. Do të bëj maksimumin që ta ndihmoj klubin në këto objektiva.”

Shumë shpejt në Azerbajxhan pritet të luajë edhe mbrojtësi tjetër kuqezi, Andi Lila.

“Shpresoj shumë që në një të ardhme të afërt edhe Andi Lila të firmosë kontratë këtu me një skuadër të mirë. Besoj se shumë shpejt do të kemi edhe lajme. Nuk duhet t’i zbulojmë të gjithë përnjëherë dhe disa gjëra duhet t’i lëmë edhe për më vonë.”

Agolli vlerësoi edhe garën për titull në Kategorinë Superiore, ku beson se gjithçka do të mbetet e hapur deri në fund.

“Mendoj se kampionati shqiptar është në një vit mjaft pozitiv, pasi rallë herë është parë që tre skuadra po ecin deri në fund bashkë. Titulli kampion është në pikëpyetje të madhe dhe besoj se deri në fund kështu do të jetë dhe gjërat mund të ndryshojnë nga java në javë. Besoj deri në fund të kampionatit do të jetë një pikëpyetje e madhe.”

Në fund një koment për Kombëtaren, ku pavarësisht se do të mungojë në kualifikuesen e Qershorit në Izrael, kapiteni kuqezi beson se skuadra do të marrë rezultat pozitiv.

“Nuk diskutohet që ka qenë një vit mjaft i vështirë nga ana personale, sepse prej pothuajse një viti nuk pushoj. Megjithatë kam marrë sodisfaksionet më të bukura të jetës time gjatë me pjesëmarrjen e Kombëtares në Kampionatin Europian. Tani na pret një ndeshje mjuaft e vështirë me Izraelin. Kam shumë besim te skuadra për një rezultat pozitiv dhe shpresoj që kjo ndeshje të dalim sa më mirë.”/SS/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje