Përleshjet në Maqedoni, reagon fort avokati i popullit: Dënoj ashpër dhunën, krimi duhet ndëshkuar

27 Prill 2017, 22:27Rajoni TEMA

Avokati i Popullit të Maqedonisë Ixhet Memeti, i ka konsideruar përplasjet fizike që ndodhën në parlament si tepër të rënda dhe me pasoja për vendin.

Në një prononcim për gazetën “TemA”, Memeti gjykon se militantët janë të nxitur politikisht nga partia opozitare VMRO-DPMNE e udhëhequr nga ish-kryeministri Nikola Gruevskin.

Ish-ministri i Drejtesisë e cilëson këtë forcë politike veçanarisht përgjegjëse për situatën e tensionuar.

Ai tha se të gjithë personat që kanë orkestruar destabilitetin e vendit do të përgjigjen përpara ligjit.

“Tensionet e shkaktuara nga zgjedhja e kryeparlamentarit Talat Xhaferi, u shoqëruan me përplasje fizike të nxitur nga partia që ka drejtuar Maqedoninë dhjetë vitet e fundit. Institucionet në vend prej më tepër se dy vite janë të brishta dhe veprimtaria e tyre është varrosur. Unë ftoj organet e drejtësisë të ndërmarrën të gjithë hapat ligjorë për të ndjekur penalisht personat që prodhuan këto akte tepër të shëmtuara,” u shpreh Memeti.

Avokati i popullit apelon për qetësi dhe seriozitet në këtë gjendje, pasi duhet menduar lidhur me stabilitetin e vendit që e quajti mjaft delikat.

“Apeloj ndaj ligjvënësve që t’i thërrasin arsyes, të mendojnë për vendin dhe të fillojnë të dialogojnë me njëri-tjetrin.  Edhe pse institucionet e drejtësisë janë tepër të brishta, fajtorët e vërtetë do të ndëshkohen. I bëj apel qytetarëve të tregohen gjakftohtë, të urtë dhe mendjehapur. Ata pak protestues të nxitur politikisht që janë mbledhur atje, duhet të tërhiqen pasi gjesti i tyre ka prodhuar një shfaqje tepër të shëmtuar, të dëmshme dhe me pasoja të rënda për Maqedoninë. Jemi në një situatë kaotike dhe padyshim që paria opozitare VMRO-DPMNE ka përgjegjësi për këtë,” nënvizon ish-ministri i drejtësisë.

I pyetur nga “TemA” lidhur me rolin dhe ndikimin që ka pasur politika shqiptare, ai gjykon se Tirana zyrtare është treguar tepër korrekte dhe e pjekur në marrëdhëniet me Maqedoninë.

“Unë mendoj se Shqipëria është treguar mjaft e matur dhe ka ndërhyrë në mënyrë korrekte në çështjet diplomatike mes dy vendeve. Marrëdhëniet kanë qenë mjaft të mira dhe Tirana zyrtare ka shfaqur sjellje pozitive. Pati një ngërç lidhur me të ashtëquajturën “Platformë Shqiptare” por gjithsesi unë mendoj se janë çështje të kapërcyeshme,” tha Memeti.

Tensionet që u pasuan me përplasje fizike, nisën që nga momenti kur Talat Xhaferi, i ardhur nga rrallët e forcave shqiptare, u zgjodh me votat e shumicës së re parlamentare në krye të Kuvendit.

Fill pas kësaj, udhëheqësi i LSDM-së Zoran Zaev dhe politikanë të tjerë janë goditur me mjete të forta duke marrë dëmtime serioze nga qytetarët që mësynë në Kuvend.

Pas dhunës që shpërtheu,  reagoi edhe kryetari i VMRO-DMNE, Nikolla Gruevski.

“Dhuna nuk është zgjidhje dhe është e nevojshme ulja e tensioneve. Bëj thirrje që populli të përmbahet dhe të mos bjerë pre e provokimeve të atyre që dëshirojnë ta fusin shtetin në një krizë më të thellë dhe të plotësojnë skenarin e tyre”, shkruan Gruevski në Facebook.

Lidhur me ngjarjen reaguan edhe një numër i madh diplomatësh të akredituar në Shkup, të cilët apeluan për dialog.

Pregatiti: Andrea Danglli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje