Javë “logjike”, gjykime të “shkurtuara”!
Nga Ervin Baku
Dukurinë e një jave “logjike” këtë radhë e prishi çifti Vllaznia – Korabi. Janë pikërisht dibranët ata që në mes të Shkodrës shkaktojnë “trazirën” më të paimagjinueshme, ndërsa ndalën në një barazim ekipin e Cungut! Të tjerat vajtën OK. Pritej triumfi i Kukësit, Partizanit dhe Skënderbeut. Madje edhe sfida Teuta – Flamurtari dukej se do të ishte në ballancë. Kështu ngjau dhe skuadrat vijuan në të tyren. Veçse për të shkuar te logjika, një dorë të madhe dhanë gjykimet. E habitshme se si në këtë fazë të garës, “xhaketat e zeza” marrin përsipër të vendosin veton.
Në derbin Tirana – Partizani, gjithkush ka menduar se favoritët për të marrë fitoren ishin të kuqtë. Mirëpo me atë që shfaqi në fushë, skuadra e Josës, jo vetëm që dueloi deri në fund, por pati shanse të mira për të rrëmbyer tri pikët. Kryesonte në shifrat 1-0 ndërsa në fund të pjesës së parë gjyqtari, i shtyrë nga një konatkt në zonë, nxiton të vërshëllejë për penallti në favot të të kuqve. Te përballja tjetër, ajo mes Kukësit dhe Laçit, gjyqtari mishëroi atë që është thënë gjithë këto javë të fundit, se gjykimi në shumë raste është skandaloz. Si anjëherë tjetër, gjyqtari gaboi në më shumë se dhjetë raste. Anoi shumë për vendasit duke e bërë Laçin e etur për pikë të “rrasë prapanicën” e të luajë si deshi gjyqtari deri në fund. Kartonë të verdhë e të kuq për futbollistët vendas, penallti të padhëna për Kukësin e Laçin. Gol me top në lëvizje etj, etj. Lushkja, Mensah, i panë me sytë e ballit ndodhitë dhe “përrallat” e gjykimit skandaloz. Po ashtu edhe Kale.
Edhe në Shkodër, Cungu konteston. Edhe trajneri grintoz, tha pas takimit se “në Shkodër sillen për të gjykuar gjyqtarë për të bërë kurs”. Në të tjerat, duket se haka vajti tek i zoti. Skënderbeu, tashmë me hap kampioni, di të imponohet e të ushtrojë presion në çdo fushë. Grupi ka gjetur ritmin dhe në Gjirokastër kalon, si gjithnjë këto javët e fundit, me lojë bindëse. Ndërkaq, Teuta luan e fundit për të mbyllur javën. Me “laps” në duar, si Teuta, ashtu dhe Flamurtari, nuk gabojnë thuajse asgjë teksa në Durrës dy skuadrat ndahen pa gola. Në pamje të parë, fitojnë të dyja. Veçse kujdes sepse nuk është logjikë që të mendohen tri pikë të fituara me Korabin. Të dyja bregdetaret, kanë në kalendar një ndeshje me “jo bregdetarët”.
Ndonjëherë logjika shkon jo në kahun e duhur. Titulli dhe largimi nga elita mbeten dilemat e mëdha të këtyre pesë javëve që mbeten deri në fund të kampionatit. S’ka parashikime. Java e ardhshme me duelin apo finalen e parë sezonale për titull, Partizani – Kukësi. Pretendentja tjetër, Skënderbeu, disi më lehtë. Në Vlorë do të jetë Tirana. Nëse humbet lumturon Flamurtarin vendas dhe merr mbi supe rrezikun real të rrëzimit. Më tej Teuta që pritet të mos bëjë “Vllazninë” ndaj Korabit. Ndërsa për Laçin, këmbana e vetme në kampin e tyre është ajo e fitores.
Luftëtari ka ulur disi rendimentin, por kur udhëton drejt veriut sikur rigjen energjitë e humbura. E thotë gjysma e parë e kampionatit, teksa në dy daljet Laç, Shkodër, ekipi i Milinkoviç mori 4 pikë.
Ethe, dritëhije, garë…! Lup-Java preferon këtë të fundit!