Titulli, Europa dhe mbijetesa, çfarë gare!

7 Maj 2017, 13:52Sport TEMA

Titull, Europë dhe mbijetesë. Asgjë nuk ka përfunduar, me garën në Kategorinë Superiore që do të jetë emocionuese deri në fund. Rezultatet e javës së 32-të të kampionatit kanë lënë të hapur çdo diskutim. Përfundimi mbetet i paparashikueshëm dhe asnjë nga skuadrat nuk mund të bëjë llogari, por vetëm të kërkojë të marrë maksimumin në fushën e lojës.

Barazimi i Partizanit me Kukësin dhe fitorja me përmbysje e Skënderbeut e bën edhe më të luftuar garën për titull. Veri-lindorët mbeten të pathyer në këtë kampionat dhe vijojnë të kryesojnë, ndërsa marshimi drejt titullit favorizohet edhe nga kalendari.

Nga katër ndeshjet e mbetura, dy janë më të rëndësishmet: ndaj Flamurtarit dhe dueli direkt me Skënderbeun. Të dyja ndeshje që Kukësi i luan në shtëpi. Në mes është trasferta me Korabin, ndërsa sezoni mbyllet me ndeshjen në Gjirokastër përballë Luftëtarit.

Barazimi i së premtes komplikoi llogaritë e Partizanit. Edhe sepse përveç disavantazhit në duelet direkte me Kukësin, kalendari është relativisht më i vështirë. Dy sfida me Laçin dhe Flamurtarin, ndeshja me Korabin dhe në fund 90 minuta përballë Skënderbeut, me duelin në Korçë që pritet të jetë një tjetër finale për titullin. Të kuqtë duhet ti fitojnë të gjitha ndeshjet dhe të presin një hap të mundshëm fals të veri-lindorëve.

Edhe më i vështirë kalendari i kampionëve në fuqi, me Skënderbeun që përballet me Teutën dhe Tiranën, ndërsa në fund luan dy sfida direkte, fillimisht në Kukës dhe më pas me Partizanin. Për të mbrojtur titullin korçarët duhet të grumbullojnë 12 pikë. Misioni nuk është i lehtë, por çdo gjë tashmë është në këmbët e futbollistëve.

Gara për Europën mbetet ende e ndezur, madje pas humbjeve të Luftëtarit dhe Vllaznisë, tashmë aty janë afruar edhe Teuta dhe Flamurtari. Skuadra e fundit që mund të shpresojë për një biletë kontinentale nëpërmjet vendit të katërt pritet të vendoset mbi të gjitha në duelet direkte. Gjithsesi Teuta dhe Flamurtari e kanë të qartë që prioritet absolut mbetet të sigurojnë mbijetesën.

 

Me Korabin që i ka dhënë lamtumirën Kategorisë Superiore, momentalisht dy skuadrat më të rrezikuara për të rënë nga kategoria janë Tirana dhe Laçi. Bardheblutë kanë avantazhin e kalendarit, ku fillimisht presin Korabin dhe e mbyllin me Vllazninë, ndërsa për Laçin të katërta ndeshjet e mbetura janë jetike. Gjithçka mbetet e hapur dhe të gjjitha skuadrat luajnë shanset e tyre për një finale të jashtëzakonshme të sezonit./SS/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje