Basel dëshiron të rikthejë Albian Ajetin në “St. Jakob-Park”.
Talenti shqiptar i St. Gallen, mund të bëhet sërish pjesë e Baselit gjatë verës, raporton “Blick”.
Ajeti, i cili e nisi karrierën te Baseli, u largua nga kampionët e Zvicrës në janar të vitit 2016, pasi nuk e kishte të garantuar vendin në ekipin A, por tani mund ta vesh sërish fanellën kuq e kaltër.
Nga Baseli Ajeti u transferua në Gjermani te Augsburgu, i cili nuk bindi me paraqitjet e tij, duke u rikthyer fillimisht në formë huazimi në Zvicër.
Rikthimi në Zvicër i bëri mirë 20 vjeçarit, i cili realizoi 11 gola në 26 ndeshje.
Pas paraqitjeve të mira këtë edicion, Baseli tani dëshiron ta rikthejë në skuadër sulmuesin, i cili aty nisi hapat e para të karrierës.
Mediat në Zvicër raportojnë se Basel është seriozisht e interesuar në lojtarin dhe do të bëjë çmos gjatë verës vetëm për ta rikthyer në “St. Jakob-Park”, aty ku aktualisht luan mesfushori i Kombëtares shqiptare, Taulant Xhaka.