Programi IMO, zgjedhja e Vilës, puna e derbit, heshtja e Kukësit dhe FSHF … sa shumë mistere rreth skandalit

17 Maj 2017, 14:18Sport TEMA

Thonë që çudia më e madhe zgjat vetëm tri ditë dhe dalëngadalë po zbehet çështja e video-skandalit që përfshiu futbollin shqiptar përpara ndeshjes Partizani-Kukësi, ku menaxheri Drini Çaushi i kërkon Emiljano Vilës të tolerojë ndeshjen. Nga biseda që Çaushi bën me futbollistin e Partizanit ka ende shumë mister dhe ngrihen çështje që kërkojnë përgjigje nga organet kompetente të drejtësisë, por pse jo edhe nga organi kryesor i futbollit, Federata Shqiptare e Futbollit.

Nga biseda e publikuar mes dy palëve, menaxheri i kërkon Vilës që të futet IMO, i cili është një aplikacion që shërben për të komunikuar me anë të mesazheve, videove dhe telefonatave, ashtu siç është i përhapur gjerësisht “Whatsapp”-i. Mirëpo, IMO thuhet se është një aplikacion më i vështirë për t’u përgjuar dhe është përdorur gjerësisht nga ekstremistët e ISIS-it në komunikimet me njëri-tjetrin.

Në Shqipëri nuk është shumë i përhapur, por rezulton që personazhet kryesorë të futbollit shqiptar janë të regjistruar në këtë program. Lind pyetja, pse duhet të përdorin IMO, nëse nuk kanë asgjë për të fshehur nga njëri-tjetri dhe nga të tjerët që i rrethojnë…

PSE VILA?

Një tjetër pikë e diskutueshme është pse menaxheri Çaushi zgjedh pikërisht mesfushorin Emiljano Vila për ta joshur që të tolerojë ndeshjen ndaj Kukësit. Komunikimi i tyre është mjaft i afërt, sepse menaxheri e ka ndihmuar futbollistin të shkonte te Korfuzi kur u largua nga Janina. Mirëpo, klubi grek falimentoi në momentin që shkoi shqiptari dhe Vila u transferua te Partizani.

… PUNA E DERBIT

“Ashtu, përderisa po të folsha për punën e derbit besoj e kuptove çik pak a shumë. Muhabetin. Tashti krahu tjetër, prandaj të thash futu se këtu s’na dëgjon asnjeri”. Këto janë fjalët që menaxheri i thotë Vilës, shumë të dyshimta për t’u kuptuar.. Çfarë ka dashur të thotë Çaushi me punën e derbit, mbetet për t’u zbardhur.

HESHTJA E KUKËSIT

E çuditshme është heshtja e skuadrës së Kukësit, e cila është distancuar nga menaxheri Çaushi, i cili në videon e publikuar lë të kuptohet që është përfaqësuesi i verilindorëve. Këta të fundit e mohuan gjithçka, por në fakt nuk mjafton për një çështje kaq të nxehtë dhe delikate si kjo që ka ndodhur pak ditë na fundi i kampionatit shqiptar.

Ndoshta do të ishte më e besueshme dhe më e ndershme që Kukësi të ndërmerrte hapa konkretë për ta paditur këtë person. Në këtë rast, verilindorët dëmtohen në aspektin e imazhit. Heshtja e skuadrës që kryeson kampionatin, nuk është aspak pozitive.

… DHE E FSHF-së

Federata u distancua pas publikimit të video-skandalit, por sigurisht që kjo nuk mjafton. Institucioni që shërben për mbarëvajtjen e garës së futbollit dhe kujdeset për të vendosur drejtësi, nuk duhet të ishte distancuar, por duhet të ishte përfshirë. Jo në këtë çështje, por për zbardhjen e saj. Ndoshta do të ishte mirë një thirrje për të gjithë personazhet që përfshihen dhe përfliten në video për të hapur një hetim, në mënyrë që të ndihmonte edhe organet e drejtësisë. As kjo nuk ka ndodhur…/Panorama Sport/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje