I deleguari i Partisë Socialiste për Bashkinë Kavajë dhe Rrogozhinë Arben Ahmetaj shpalli dje zyrtarisht fillimin e fushatës elektorale në Rrogozhinë. Mes qindra simpatizantëve të pranishëm, Ahmetaj tha se Partia Socialiste edhe një herë tjetër në historinë e shqiptarëve, ka fatin të bëjë histori dhe të nxjerrë Shqipërinë nga një periudhë e gjatë tranzicioni, konfuzioni politik, rrjet partish të vogla që marrin vota në këmbim të vendeve të punës apo premtojnë vende pune në këmbim të votës dhe ta kalojë në një vend që i përket vërtet Bashkimit Europian.
“Besoj që ju e keni ndjekur cdo ditë që ne kemi punuar për ta avancuar reformën në drejtësi, Vettingun e famshëm. Asnjë ditë nuk e kemi bërë më kot, asnjë ditë s’e kemi bërë thjesht për politikë. E kemi bërë se reforma në drejtësi realisht është e lidhur me mirëqenien e cdo familjeje shqipëtare, e cdo qytetari të këtyre trevave, e cdo njeriu që do një Shqipëri që i përket familjes së Bashkimit Europian, vlerave të Bashkimit Europian dhe cdo qytetari që do të jetojë me nje punë të ndershme dhe të përditshme. Reforma në drejtësi është drejtpërdrejtë e lidhur me mirëqenien ekonomike dhe ashtu sic kemi këmbëngulur për reformën në drejtësi, ashtu sic e detyruam Lulin të dalë nga cadra e të votojë Vettingun, ashtu, me atë këmbëngulje do të punojmë që të kemi sa më shumë vende pune dhe që të kemi një ekonomi më të mire” – u shpreh Ahmetaj në reflektim të zhvillimeve më të fundit politike në vend.
Ai u ndal edhe tek programi i Partisë Socialiste për mandatin e dytë qeverisës, me fokus kryesisht bujqësinë, turizmin dhe transformimin urban të zonës, për të cilën u shpreh se po rikthehet nga një qytet i harruar, në një qytet “kantier” projektesh të rëndësishme zhvillimi.
“Mendoni që kjo zonë prodhon gati 20 mijë ton prodhime bujqësore të cilësisë së parë të cilat një pjesë e mirë e tyre shkon për eksport. Në fund të 4 viteve të ardhshme nuk do të ketë më asnjë certifikatë toke që nuk ka shkuar tek i zoti dhe nuk do të ketë asnjë legalizim që nuk do të ketë mbaruar. Cdo banor i kësaj zone, cdo qytetar i kësaj zone, cdo familjar i kësaj zone, do të ketë do të ketë certifikatën e tokës në dorë, do të jetë zot i tokës së vet dhe do të jetë zot i shtëpisë së vet, pra nuk do të ketë asnjë legalizim të pambaruar.
Sot ne kemi në dorë një plan zhvillimi për zonën e bregdetit dhe jemi të bindur që në 4 vitet që vijnë ajo zonë do të kthehet në një destinacion turizmi por dhe një burim punësimi për familjet tuaja. Ka qënë një qytet sikur nuk ishte në hartën e Shqipërisë e megjithatë qeveria e Partisë Socialiste ka sjellë investime serioze për ta rilindur qytetin. Vetëm sot, kanë filluar punë 9 milionë dollar në këtë zonë nga investimet e qeverisë Shqiptare. Në fund të 4 vjecarit tjetër, do të ketë 25 milion euro të investuara në këto projekte, ku kjo bashki dhe ky qytet të jetë qytet i vërtetë dhe një bashki-destinacion turizmi”
Duke I ftuar qytetarët dhe socialistët shqiptarë që në 25 qershor të marrin pjesë në votime dhe t’i japin shtysë vazhdimit të rrugës së nisur të reformave për Shqipërinë që duam, Ahmetaj tha se Partia Socialiste është alternativa e vetme qe mund ta bëjë të mundur këtë.
“25 qershori është shumë i rëndësishëm. Jo thjesht se është një ditë zgjedhjesh, por do të na ndajë një herë e mirë nga e kaluara. 4 vite na u deshën për të kuruar trupin e Shqipërisë, të bërë copash nga tranzicioni, keq-menaxhimi, korrupsioni. Tani kemi një 4-vjecar ku mbi trupin e shëruar të Shqipërisë kemi mundësi të ndërtojmë dhe të zhvillojmë. Mos harroni se në 25 qershor kemi shumë për të humbur, prandaj atë ditë nuk do të duhet të humbasim asnjë votë. Do të duhet të mbledhim votat e të gjithë bashkisë së Rrogozhinës në favor të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe Edi Ramës Kryeministër. Është e vetmja alternativë për Shqipërinë që duam” – tha Ahmetaj.