Kryeministri Edi Rama gjatë emisionit “Opinion”, ka dhënë disa detaje edhe për takimin e 17 majit me Lulzim Bashën, që solli edhe marrëveshjen për zgjidhjen e krizës.
“Ka qenë diskutim i vështirë, por ka qenë diskutim me një pikë shumë të qartë që të kishim një marrëveshje.
Për mua në paketën McAllister kishte një gjë që ishte e padobishme dhe fyese. Ajo ishte dhe pa takt sepse ata kështu e mendojnë në këto situata.
Paketa thoshte të shtyheshin zgjedhjet në 16 korrik. Unë e kam mbajtur datën që askush të mos tallej me shqiptarët dhe t’i merrte si dele.
A u bë që partitë e vogla të mbeteshin jashtë koalicioneve?
Kam dëgjuar shumë teori konspiracioni” – tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka rrëfyer dhe prapaskenat e takimit me Lulzim Bashën që përfundoi me marrëveshje.
Rama tha se ai e kishte vendosur që nuk do shkonte në tryezë, mirëpo në një takim me gratë në Elbasan, vendosi që të shkonte.
“Vendosa të shkoja kur mora vesh se po shkonin të gjithë, edhe aleatët tonë. Unë vendosa të shkoja vetëm që të dëgjoja. Po mendoja që të nesërmen do të më nxirrnin mua delen e zezë që të gjithë, ndaj thashë po shkoj”, tha Rama .
Kryeministri tregoi se ishte ai që i kërkoi Bashës takim. “Isha unë që i thashë të vinte në takim. Aty u mbajtën ca fjalime. Unë vetëm dëgjova. Pastaj i thashë Bashës që të më takonte vetëm. Isha i vendosur që ta nxirrja nga aty me marrëveshje”, tha Rama.
Ai iu përgjigj edhe pakënaqësive të LSI-së. “Ata kishin një muaj që thonin jemi gati të lëmë postet. Kështu që besoj ishin gati për këtë marrëveshje”, shtoi kryeministri.