Gazetari i njohur nga Kosova Ibish Neziri, është shprehur kritik ndaj zgjedhjeve që po mbahen këtë të djelë.
Përmes një letre të hapur drejtuar kryetares së KQZ-së Valdete Daka, Neziri tregon ngërçin e këtij institucioni sa i përket votës së shtetasve që jetojnë dhe veprojnë jashtë Kosovës.
Ai thotë se premtimi për votën elektronike përmes e-mailit ishte thjesht një farsë.
Neziri rendit edhe një sërë pyetjesh për kryetaren e KQZ-së të cilës i kërkon të shpjegojë opinionin publik për shkeljen flagrante që bën ky institucion duke i mohuar të drejtën e votës mijra qytetarëve.
LETRA E PLOTË
Zonja Daka,
pse ma mohove të drejtën time më elementare, të drejtën për të zgjedhur?
Unë sipas udhëzimit të KQZ-së, të cilin ju e udhëheqni i dërgova dokumentet për regjistrim dhe ju u tallët me mua, besoj fort, sikurse edhe me shumë tjerë.
Me 16 maj përmes E-Mailit, unë dhe ime shoqe i dërguam formularët për regjistrim të plotësuar sipas rregullave të kërkuara nga KQZ-ja dhe ju në vend që të na i dërgoni fletëvotimet, vetëm mua ma dërgoni fletëregjistrimin, i cili në adresën time arriti më 27 maj me sugjerimin që në Prishtinë të jetë deri më 22 maj, ndonëse unë atë tanimë e kisha dërguar qysh më 16 maj.
Çfarë do të thotë kjo, zonja Kryetare? Nga kjo e drejtë që unë dhe ata dhjetëra mijëra mërgimtarë të përjashtohemi nga e drejta për të zgjedhur?
Cila është hisja jote në Kosovë, e cila është hisja ime?
Çfarë ju keni më shumë të drejtë se unë dhe fundja çfarë keni bërë më shumë se unë që të mund të zgjedhim lirisht në Kosovë?
Pse ma mohoni të drejtën time më elementare për të zgjedhur? A e dini se unë vetëm i kam dhënë Kosovës, sikurse edhe shumë e shumë të tjerë dhe kurrë asgjë nuk i kami marrur?
A është kjo e ndershme zonja kryetare?
Po hisja jote krahasuar me gjithë ata dhjetëra mijëra mërgimtarë që ti i përjashtove nga zgjedhjet, dhe të cilët vazhdojnë ta ruajnë që 18 vjetë radhazi pas luftës qetësinë soiale, cila është?
A do të thotë kjo se ju i ipni vetës të drejtë më shumë se sa iu përket? A nuk është kjo e turpshme?
Zonja Kryetare, a e ndieni veten përgjegjëse për këtë krim që e keni bërë?
Ju si juriste, a e konsideroni krim veprimin tuaj? Nëse jo, shikojeni pak ligjin mbi zgjedhjet se si sanksionohet pengimi i zgjedhësve për të zgjedhur!
Po ta kishit vetëm pak moral njerëzor, zonja Kryetare nuk do të duhej pritur fillimin e zgjedhjeve, apo fundin e tyre por menjëherë do të duhej të ipnit dorëheqje, por për fatin e keq institucioni i dorëheqjes në Kosovë nuk njihet!
Unë po e ngris zërin kundër veprimit tëndë kriminal, jo vetëm në emër t’imin, por edhe të zonjës sime dhe dy fëmijëve të mi, të cilët e kanë arritur moshën për të zgjedhur.
Po e ngris zërin edhe në emër të gjithë atyre që ti i privove nga e drejta për të zgjedhur dhe në emër të tyre kërkoj jo vetëm dorëheqjen tuaj, por edhe përgjegjësinë tuaj!