Paolo Tramezzani emërohet zyrtarisht trajneri i ri i klubit të Sionit në Superligën zvicerane. E
dhe pse u lakua nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka si një nga kandidaturat për të marrë drejtimin e kombëtares kuqezi pas largimit të Gianni De Biasit, 46-vjecari italian nuk do të rikthehet te Shqipëria. Bie kështu poshtë emri i Tramezzanit për stolin e Shqipërisë me ish trajnerin e Luganos që ka zgjedhur ta vazhdojë karrierën sërish në Zvicër këtë herë te Sioni, një klub me emër më të madh dhe me potencial më të fuqishëm ekonomik.
Ish ndihmësi i De Biasit te kuqezinjtë ka firmosur një kontratë 2-vjecare me Sionin duke pasuar në detyrë Sebastian Fouriner i cili është larguar nga drejtimi i skuadrës për të marrë rolin e drejtorit sportiv.
Pasi punoi për 5 vite me Gianni De Biasin te kombëtarja shqiptare duke bërë një punë të shkëlqyer me kuqezinjtë Paolo Tramezzani, në fund të vitit 2016 mori drejtimin e Luganos skuadër të cilën e gjeti në vendin e parafundit të Superligës zvicerane dhe e pozicionoi të tretën duke siguruar kualifikimin direkt në fazën e grupeve të Europa League.
Me një mesatare prej 2 pikë për ndeshjesh, Lugano e Tramezzannit la pas në renditje pikërisht Sionin që e mbylli sezonin e 4-ta, dhe do ta nisë nga turet paraeliminatore aventurën e saj në Europa League. Puna fantastike e 46-vjecarit italian u shpërblye me kalimin te një skuadër më e mirë dhe me një kontratë të përmisuar ndjeshëm përsa i përket termave ekonomikë krahasuar me atë që kishte firmosur me Luganon. Tramezzanni do të prezantohet në datën 20 Qershor te Sioni. Zerohen në këtë mënyrë shanset e italianit për të pasuar Gianni De Biasin në stolin e kombëtares kuqezi edhe pse Tramezzanni ishte një nga të preferuarit e presidentit Duka për ti besuar stolin e Shqipërisë.