Rivali i Partizanit, skuadra që mban emrin e heroit kombëtar dhe kërkon 15 milion euro prej 3 vitesh

19 Qershor 2017, 15:55Sport TEMA

Partizani do të vihet përballë bullgarëve të Botev Plovdiv në turin e parë kualifikues të Ligës së Europës. Skuadra e cila mban emrin e heroit kombëtar të Bullgarisë, Hristo Botev, nuk ka ndonjë histori të madhe suksesi në futbollin vendas teksa ka fituar vetëm 2 herë titullin kampion, 1929 dhe 1967, si dhe ka dalë 2 herë nënkampion në vitet 1963 dhe 1986.

Botev Plovdiv ka fituar gjithashtu 3 herë Kupën e Bullgarisë, hera e fundit ishte në sezonin që sapo lamë pas, ndërkohë që kanë humbur gjithashtu në 9 finale të tjera. Kjo skuadër ka fituar gjithashtu 1 herë Kupën e Ballkanit në vitin 1972, njësoj si Partizani që triumfoi në këtë kompeticion në vitin 1970 duke u përballur në finale me një ekip bullgar, Beroe Stara Zagora. Një sukses mjaft i madh i arritur nga Botev Plovdiv ka qenë arritja e çerekfinaleve të Kupës së Kupave në vitin 1963.

Botev është skuadra më e vjetër e Bullgarisë që vazhdon të ekzistojë edhe sot, e krijuar në vitin 1912. Skuadra i përket qytetit të Plovdivit, qyteti i dytë më i madh në Bullgari. Mbështetja e tifozëve për këtë skuadër është e madhe dhe tifogrupi i ultrasve quhet “Bultras”, shkruan “Panorama Sport”.

Aktualisht Botevi i luan ndeshjet në Kompleksin Sportiv “Botev 1912” me kapacitet 3500 vende sepse stadiumi “Hristo Botev” është në rikonstruksion. Megjithatë punimet janë bllokuar që në vitin 2014 për mungesë fondesh. Për të përfunduar projektin e stadiumit, klubit të Botevit i nevojiten rreth 15 milion euro.

Partizani është ndeshur 2 herë më parë me ekipe bullgare në kompeticionet europiane dhe në të dyja rastet janë eliminuar. Në sezonin 1963-1964 të kuqtë janë eliminuar në Ligën e Kampioneve përballë Spartakut të Plovdivit, ndërkohë që në sezonin 1971-1972, sërish në Ligën e Kampioneve, Partizani u eliminua nga CSKA Sofjes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje