Messi driblon edhe burgun. Ylli argjentinas i shpëton dënimit me heqjen e lirisë pasi dënimi me 21 muaj burgim që mori pasi u gjykua si fajtor për mashtrim fiskal në qershorin e 2016 i është konfertuar në një gjobë financiare prej 432 mijë eurosh me Messin që tani mund ta bëjë gjumin e qetë pasi nuk rrezikon të shkojë pas hekurave.
Prokuroria spanjolle ka vendosur që kampioni i Barcelonës të paguajë gjobën financiare si masë ndëshkimore e cila zëvendëson dënimin me burgim që ju dha nga gjykata e Barcelonës.
Një vit më parë Messi u dënua për evazion fiskal gjatë viteve 2007, 2008 dhe 2009 për një total prej 4.1 milionë eurosh, pasi nuk kishte deklaruar të ardhurar prej 10.1 milionë eurosh nga të drejtat e imazhit.
Në fakt Messi vetë do të paguajë 252 mijë euro pasi 180 mijë euro do të paguhen si gjobë nga i ati i Messit Jorge Horacio i cili po ashtu me këtë masë eviton dënimin e mëparshëm prej 15 muajsh burgim. Një fund me sa duket i lumtur ky për familjen Messi.