Krujf: Asgjë nuk ka mbaruar ndaj Tiranës, kujtoni Shqipërinë me Izraelin

5 Korrik 2017, 19:23Sport TEMA

Trajneri i Makabi Tel-Aviv, Zhordi Krujf, ka bindjen se çështja e kualifikimit në turin tjetër të Ligës së Europës nuk është mbyllur, edhe pse ekipi i tij ka fituar 2-0 ndeshjen e parë dhe ka statusin e favoritit përballë Tiranës.

Në konferencën e sotme për shtyp ai la të kuptohet se nuk nënvlerësonte ekipin që kishte përballe dhe se kishte përgatitur skuadrën për një lojë të fortë nga bardheblutë.

Nëse mendon se ka siguruar kualifikimin

“Mendoj se do të ishte jo korrekte ta interpretonim kështu. Fitorja 2-0 është në rregull për një rezultat në shtëpi, por mendoj se deri në minutën e fundit nuk duhet të nënvlerësojmë askënd. Kemi si shembull historinë e kohëve të fundit me kombëtaren e Izraelit kundër Shqipërisë. Nuk mendoj se jemi në pozicionin që të mendojmë se gjithçka ka mbaruar”.

A e mendon përmbysjen e Tiranës

“Shpresoj që jo, mendoj se ata erdhën shumë të përgatitur në ndeshjen e parë. Më pëlqeu mënyra se si u munduan të luanin, se si bënë presion dhe pres edhe më shumë këtu”.

Mendimi për Shqipërinë

“Nuk kemi parë shumë nga aeroporti deri këtu. Por deri tani është mirë, është e këndshme. Më pëlqen, si çdo vend normal. Njoh disa lojtarë që kanë ardhur dhe firmosur këtu gjatë verës, do t’i pyes se si ia kanë kaluar, se si është këtu”.

Cilit lojtar i druhet më shumë nga bardheblutë

“Nuk do të flas me emra kundërshtarësh, kam respekt për secilin kundërshtar dhe trajner. Luajmë ndaj një skuadre dhe jo ndaj një individi, ndaj i respektoj njëlloj”.

Nëse moti i nxehtë në Tiranë do të jetë një problem

“Mendoj se kushtet e motit janë të njëjta, ka edhe më shumë lagështirë në Izrael. Nëse do të kemi probleme, nuk e pres të vijnë nga moti”.

Për përgatitjet e ndeshjes

“Kemi bërë dy javë përgatitje, kemi afruar dhe larguar disa lojtarë ndaj nuk jemi në formën maksimale. Por mendoj se jemi gati për këtë ndeshje. Ne luajmë jashtë fushe, e dimë që kundërshtari duhet të rrezikojë, të kërkojë sa më lart topin, si në ndeshjen e parë dhe duhet të jemi gati për këtë”.

Për objektivat e Makabi Tel-Aviv

“Makabi ka qenë rregullisht në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve apo Ligës së Europës në vitet e fundit. Sigurisht që objektivi mbetet ai. Ne e dimë që nuk jemi favoritë për të fituar trofeun, por duam të marrim pjesë dhe të bëjmë më të mirën”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje