Prova e zjarrit për LSI-në

7 Korrik 2017, 18:26Politika TEMA

Nga Eduard Zaloshnja*

Kur LSI-ja u bë për herë të parë pjesë e pushtetit (në 2009-ën), mori 75 mijë vota në rang vendi. Gjatë tetë vjetëve që ndenji në pushtet (një herë me PD-në e herën tjetër me PS-në), ajo arriti t’i shtojë votat nga një palë zgjedhje në të tjetrën – si në ato lokale edhe parlamentare. Kështu, në zgjedhjet lokale të 2011-ës, LSI-ja mori 110 mijë vota në rang vendi; në zgjedhjet e 2013-ës mori 180 mijë vota; dhe e arriti rekordin në zgjedhjet lokale të 2015-ës, me 260 mijë vota.

Deri në zgjedhjet e 2015-ës, ky progresion statistikor i LSI-së ka patur një koeficient mesatar rritjeje prej 1,52, nga një palë zgjedhje në tjetrën. Kjo rritje e LSI-së, sidomos nga zgjedhjet lokale në ato parlamentare, ishte e ndryshme nga ajo e partive të tjera të vogla që zakonisht e kanë rritur numrin e votave në zgjedhjet lokale, por u është zvogëluar pastaj në zgjedhjet parlamentare të radhës.

Duke patur parasysh koeficientin e progresionit statistikor të LSI-së, nga një palë zgjedhje në tjetrën, drejtuesit e saj argumentonin në studiot televizive para zgjedhjeve të 25 qershorit, se progresioni do të vazhdonte edhe në 25 qershor. Sipas tyre, pas kuotës së 260 mijë votave që LSI-ja arriti në zgjedhjet e 2015-ës, do të vinte natyrshëm kuota 400 mijë e sipër.

Por në 25 qershor, progresioni statistikor nuk vazhdoi; LSI-ja mori vetëm 225 mijë vota – 35 mijë më pak se sa para dy vjetësh (shihni grafikun shoqërues).

Arsyeja është e qartë. E vënë mes dy zjarresh të mëdha, PS-së e PD-së, LSI-ja jo vetëm që nuk e zmadhoi dot thesin e saj elektoral, por ai iu zvogëlua. Drejtuesit e saj në administratën qendrore e lokale, u shkarkuan me nxitim pas marrëveshjes Rama-Basha, ndërkohë që këta dy udhëheqës u bënin thirrje votuesve, të mos shpresonin për një bashkëqeverisje të partive të tyre me LSI-në.

E rikthyer në opozitë pas tetë vjetësh, LSI-në e pret tani një provë edhe më e fortë. Në zgjedhjet e ardhshme lokale, ajo nuk do të jetë në gjendje të fitojë e vetme në bashkitë që fitoi në 2015-ën me ndihmën e PS-së. E vetme mund të fitojë Skraparin, kurse në bashki të tjera, mund të fitojë nëse bën koalicion opozitar me PD-së.

Por në qoftë se PD-ja i qëndron marrëveshjes me PS-në, për të vendosur duopolin elektoral në Shqipëri, LSI-ja do ta ketë vështirë në zgjedhjet lokale të 2019-ës. Dhe pas tyre, mund të mbetet pa njerëz të saj, si në pushtetin qendror, edhe në atë lokal.

Një zbritje, pas dy vjetësh, poshtë kuotës së 225 mijë votave (që LSI-ja e kapi në 25 qershor), do t’i jepte mesazhin publikut, se kurba e saj po vazhdon rënien. Gjë që mund ta kthejë një ditë në kuotën e vitit 2009.

Me pak fjalë, këta katër vjet në opozitë, do të jenë vërtetë një provë zjarri për LSI-në. Ajo duhet të provojë se është një parti që nuk rritet vetëm kur është në pushtet, por edhe kur është në opozitë.  Përndryshe…

*Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

9 komente në “Prova e zjarrit për LSI-në”

  1. Tirana says:

    E sakte Zaloshnja. Ushqimi i kesaj kepushe politike (sepse nuk eshte parti politike, s’ka baze politike) ishte vetem vendet e punes ne administrate, pra nje lloj Osmanizimi i politikes, “me jep vota te te jap vend ne administrate” qe eshte e barabarte me “hajde lufto ne Jemen, te te jap ciflig ne Shqiperi”. Neqoftese Rama do i jape fund ketij Osmanizimi apo jenicerizimi apo mercenarizimi, quajeni si te doni, atehere kjo kepushe politike qe thithi gjak sa deshi ne keto dhjete vjet, do te bjere automatikisht. Ne te kundert, krahas LSI do na dale edhe nje parti tjeter me emertimin “Flamuri Socialist” apo “Kauza Socialiste” apo “Shansi Socialist”.

  2. lulja says:

    Po s’ka parti me me Moniken, Ilirin, Saliu; gjerat kane ndryshuar dhe njerezit duan apo s’duan e kuptojne se ata jane e kaluara, mbetjen skore te tranzicionit qe vodhen, vrane, tradhetuan sa deshen. Akoma me Ilirin e Saliun? na shkoi jeta per ibret.

  3. llkja says:

    Me Monen ne krye leshelia gjithmone force e pare.

  4. Beso says:

    Përndryshe Lsi-stat do kthehen në origjinë…?

  5. Lennard says:

    Z.Zaloshnja Arsyeja e shtimit te votave te LSI eshte se Like Floriri me Mona Baxhellen kane hedhur Pare te Madhe.Kesaj rradhe jane zasllonuar nga Policia e Shtetit dhe kane bere Pazare me fshehtesi te Madhe.Kane qene te bindur se mund te dilnin dhe Force Pare nga Paret e Hedhura po deshtuan se u kuptuan se cfare do te benin.Marreveshja PS-PD i shkaterroi komplet.

  6. Tomarr Caka says:

    LSI do jete gjithmone partia e shushunjeve dhe gaforreve

  7. Duru sapun says:

    Analize e shendoshe.
    Me pak me stil te holle nga Rama, LSI behet shkrumb e hi ne 2021. Kuptohet nese Likja ha ndonje gozhde nga Vetingu shkaterrimi mund te ndodhe dhe me heret.
    Tung.

  8. Timo says:

    LSI as ne Skrapar ne 2019 nuk fiton.
    Per fat te keq njerezit jane blere per buken e gojes. Kush e ka merituar, do e mbaje vendin e punes, por shumica do e humbase. Asnje e askush nuk do mendove me se na ishte sikur nje LSI…..ajo do i takojne se shkuares me te keqe te shqiptareve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje