Analiza e Starovës: U eliminuam nga gabime individuale, bullgarët kishin frikë fanellën e Partizanit

9 Korrik 2017, 14:22Sport TEMA

Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport” bën analizën e eliminimit të “demave” në Ligën e Europës nga Botev Plovdivi, por paraqitjen e ekipit nuk e konsideron dështim.

Ai tregon faktorët që ndikuan në paraqitjen e të kuqve në Europë, ku përmend edhe individët që gabuan në dy sfidat me bullgarët.

Starova ka sqaruar edhe të ardhmen e tij te Partizani, si dhe ka rrëfyer planin e Luçiano Moxhit në krye të klubit.

Sipas Starovës, Partizani i ri do t’i nënshtrohet një revolucioni dhe çelësat e ekipit presidenti Demi ia ka varur në qafë Moxhit.

“Bobi” ka treguar edhe të vërtetën e trajnerit Milinkoviç, si dhe ku ka nevojë ekipi që të përforcohet.

Starova edhe në këtë rrëfim ka vijuar me qitjet e tij në distancë, ku nuk kanë munguar edhe kritikat për FSHF-në për vonesën e dhënies së titullit që iu hoq Skënderbeut, si dhe për numrin e lojtarëve të huaj.

Starova, cilët ishin faktorët që ndikuan te paraqitja jo e mirë e Partizanit në dy ndeshjet e Ligës së Europës me Botev Plovdivin?

Mendoj se paraqitja e Partizanit ishte shumë e mirë, si me rezultate dhe në të gjitha aspektet e tjera.

Si ishte e mirë, kur ju jeni mundur në të dyja takimet?

Ja ta shpjegoj pse-në. Në takimin e dytë skuadra luajti shumë mirë, dha maksimumin e vet. E nisëm lojën me një rast të Prognit dhe kundërshtari në minutën e 15-të erdhi për herë të parë te porta jonë me anë të një faulli. Më pas, nga një gabimi i joni kaloi në avantazh.

Botevi e kishte vlerësuar maksimalisht këtë takim, ku ndonëse luante jashtë fushës së vet, kishte mbushur stadiumin. Gjithashtu, ishim edhe të pafat në pjesën e dytë, nëse i referohemi rastit të Mazrekajt. E përgjithshmja ishte kjo: ne kishim përballë një kundërshtar më të fortë se veten. Për fat të keq, media në fillim e nënvleftësoi Botev Plovdivin, në kuadër të ndeshjes së parë.

Çfarë nënvleftësoi media?

Nuk mori parasysh se kundërshtari na njihte shumë mirë dhe këtë e vërtetuan edhe pas ndeshjes kur na pyetën: “Ku është Ekubani, Torasa, Cetkoviçi, Ramadani dhe Malota”? Madje u habitën kur u thamë se Ekubani është pranë Lids Junajdit në Angli. Pra, kishim një kundërshtar që e mbaroi dhe e filloi sezonin me të njëjtët lojtarë. U përgatit për Partizanin, i cili e fitoi kampionatin e tij, por nuk e lanë të triumfonte zyrtarisht.

Për rrjedhojë, Botev Plovdivi erdhi në takimin e parë përballë nesh me organikë të plotë dhe me mbi 8 ndeshje më shumë se ne. Nga ana psikologjike kundërshtari erdhi për t’u mbrojtur fort në Tiranë, pasi i kishte bërë llogaritë me atë Partizan që njihte në fund të sezonit të shkuar.

Ne arritëm të kalonim në avantazh në ndeshjen e parë, por gabuam më tej. Historia e këtyre dy ndeshjeve është se edhe me atë kontingjent që kishim bëmë gabime individuale. Në pjesën e dytë të ndeshjes në Bullgari ekipi reagoi shumë mirë, pasi e njohëm më mirë kundërshtarin. Prandaj, them se ekipi dha maksimumin.

Dhatë maksimumin, por Botevi vijon më tej në Europë dhe Partizani nuk bëri dot atë që bëri edicionin e kaluar…

U kualifikua një skuadër, e cila praktikisht ishte më e mirë se ne. Nuk ishte se na eliminoi një kundërshtar njëlloj si Partizani apo më poshtë se ne. Ky është realiteti. Situata e krijuar edhe nga mediat ndikoi tek opinioni në ballafaqimin e këtij dueli. Ne bëmë një sezon fantastik dhe prandaj insistoj se Partizanit ia vodhën kampionatin. Kështu që nuk mund të denigrohet një skuadër, e cila u mundua të bëjë maksimumin me ato mundësi që pati.
Nëse do të kishit në skuadër lojtarët që janë larguar pas mbarimit të kampionatit, mendoni se do të ishte gjithçka ndryshe në Europë?

As që bëhet fjalë! Do të ishin ndeshje me kontingjent gati të barabartë. Edhe pse kishin fituar 3-1 në ndeshjen e parë, bullgarët e kishin frikën, pasi përballë kishin një fanellë dhe emër të madh të futbollit shqiptar. Por na duhej pak fat, pasi ndeshjet luhen edhe me fat. Jemi koshientë se çdo skuadër ka fat kur forcat janë të barabarta në fushë. Flas për ndeshjen e kthimit në Bullgari, ku skuadra dha maksimumin, por gabimet individuale ndodhin.

Kur skuadra luan mirë dhe jep shpirtin në fushë të vjen keq që ndëshkohesh nga gabimet individuale. Rasti konkret ishte goli që pësuam në minutën e 22-të në Bullgari, ku tre lojtarë të Partizanit nuk mbuluan një kundërshtar në zonë. Ose siç ishte goli i barazimit në ndeshjen e parë në Tiranë, ku Kosoko mes pesë lojtarëve kthehet dhe shënon.

Kjo është diferenca mes skuadrave. Për sa thashë deri tani, kjo është analiza reale që i bëhet situatës së Partizanit në dy ndeshjet e Ligës së Europës. Them kështu, pasi nganjëherë u bie në dorë njerëzve jokompetentë që të bëjnë analizën e ndeshjes dhe ngarkojnë përgjegjësi më shumë sesa duhet.

Në Bullgari ju kemi parë shumë të tensionuar, sidomos pas disa veprimeve të lojtarëve kur kishin topin dhe e kthenin mbrapa…

Nervozizmi vinte, pasi duke luajtur mirë ndodhi si ajo shprehja, “kovës të mbushur me qumësht i bie me shkelm nga pas”. Një pasiguri, apo gabim foshnjarak rrezikon skuadrën. Nga ekipi bullgar rrallë pamë gabime të tilla. Të japësh shpirtin në fushë dhe të bësh ato gabime elementare, nuk është gjë e mirë për ekipin. Kjo ka qenë edhe arsyeja e nervozizmit tim ndaj lojtarëve në momente të ndryshme të ndeshjes.

Partizani i Europës çaloi pikërisht te pika më e fortë e skuadrës në kampionat, mbrojtja. Në dy ndeshje pësuat 4 gola. Çfarë nuk shkoi?

Vazhdon të bësh një pyetje që nuk ka lidhje. Partizani vërtet ishte skuadra që pësoi më pak gola në kampionat, por edhe tek ato gola që ka pësuar ka gabuar në repartin e mbrojtjes. Partizani nëse e ka meritën, nuk e ka vetëm prej portierit që bëri një kampionat të shkëlqyer, duke vazhduar ecurinë fantastike në Kupat e Europës. Forca nuk ishte forca vetëm te katër mbrojtësit. Forca e Partizanit në aspektin defensiv ishte e gjithë skuadrës.

Ato gola që kemi pësuar në kampionat, por edhe në dy ndeshjet e Europës kanë ardhur për shkak të gabimeve individuale në mbrojtje. Konkretisht, te rasti i golit të barazimit të Kosokos në Tiranë gabuan 3-4 lojtarë. Një skuadër e pjekur nuk merr të tillë gola. Ose goli në Bullgari, krosim nga krahu dhe një kundërshtar i vetëm, nga vendi ngrihet dhe shënon gol me kokë. Të pësosh gol me kokë nga vendi kuptohet që është gabim individual në mbrojtje.

Në rastin konkret, aty gaboi Krasniqi. Ndërsa te goli i barazimit i Kosokos në ndeshjen e parë gabuan me radhë Vila, Ibrahimi, Atanda, pra tre veta pjesëmarrës në një gabim. Këto janë diferencat mes dy skuadrave, pasi në nivele të larta futbolli nuk t’i fal njeri gabime të tilla.

3 komente në “Analiza e Starovës: U eliminuam nga gabime individuale, bullgarët kishin frikë fanellën e Partizanit”

  1. Klodi says:

    Ik ore se lat nam. Organizim diletantesh. Shkoni ne ndeshjet e EL me ekip jasht forme. Te pakten ti kishit pergatit nga ana fizike. Ne Tr lojtaret ecnin ne fushe. Ca kuptim ka “fitoi ekipi me i mire”. Sikur po luan me ekip francez apo portugez. Me ekip Bullgar po luanit.

  2. vlora.vlora says:

    po ik ore pijanec

  3. Red or Dead says:

    Tifoz i ” semure ” i Partizanit jam ,por kjo intervista e Sules eshte e gjitha qesharake dhe amatore.Kryevepra e intervistes eshte shprehja ” Ekuban eshte lojtar kandidat per Realin e Madririt”.????!!!!!????.Perfundimisht Sula eshte rezauruar si trajner.Nuk mundet te japi me sepse nuk ka cfare te japi.Klubi do riorganizim total.Ne rradhe te pare ndryshim mentaliteti.Eshte turp te shohesh Bathen qe ben si i forti i lagjes ,Atanda dhe Krasniqi qe nuk japin dot pasim 10 m pa presionin e kundershtarit ,Bardhi dhe Fili qe kane mentalitet kalcetoje ,Mazrekaj qe mendon se eshte Imbraimovic dhe luan kur do dhe stervitet kur ti teket ,Alban Hoxha qe eshte portier i mire por nuk ben asgje per tu permisuar me shume ,Sukaj qe me shume debaton me stolin e ekipit sesa me kundershtaret e me rradhe.Te shohim Moxhin por deri ne shtator ka kohe per tu bindur.Uroj me pak deklarata e me shume pune.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje