Hedhja e shortit ka zyrtarizuar kalendarin e edicionit të ardhshëm, i cili do të startojë më 9 shtator. Një datë e pazakontë për të filluar edicionin, që duhet të mbyllet në mesin e muajit maj për shkak të kampionatit botëror që luhet në Rusi verën e ardhshme. Sekretari i FSHF Ilir Shulku tregon se ky është një vendim pas kërkesës së bërë nga shumica e klubeve të superiores.
“Para se të hidhej shorti klubet janë informuar për datën që mund të fillonte kampionati dhe shumica e tyre kanë kërkuar që sezoni të fillojë më datë 9 shtator. Më datë 6 do të luhet superkupa e Shqipërisë. Mendoj se përvec Kamzës që po rinovon stadiumit dhe Lushnja që do të nisë punimet ekipet e tjera e kanë infrastrukturën. Shpresojmë që ky kampionat të ketë garë dhe rivalitet si edicionet e kaluara.”
Një nisje e vonë e kampionatit mund të sjellë dhe një ngjeshje të kalendarit, cka mund të ndikojë në ritmin e garës. Megjithatë duket se edhe ky detaj është marë parasysh nga FSHF.
“Është mirëmenduar edhe kalendari, kampionati ka cdo muaj 4 deri në 5 ndeshje, nga shtatori deri në dhjetor. Nuk besoj që ka ngjeshje të ndeshjeve dhe është mëse normale.”