Afera CEZ ka ridalë sërish në skenë, pas hetimeve të Republikës Çeke.
Një nga emrat e përfolur të kësaj afere, është pikërisht Shkëlzen Berisha.
Emri i Shkëlzen Berishës në lidhje me historinë e privatizimit të OSSH nga qeveria ‘Berisha’ dhe kompania çeke ‘CEZ’ u lakua për herë të parë nga juristi i OSHEE, Romeo Kara, i cili u shndërrua në dëshmitarin kyç që zbardhi prapaskenat e privatizimit abuziv, me një kosto 400 milionë euro për buxhetin e përbashkët të shqiptarëve.
Konkretisht, gjatë seancës së komisionit hetimor për çështjen CEZ, në nëntor të vitit 2016, Romeo Kara tha se mund të kishte lidhje mes Shkëlzen Berishës dhe sekserit Nuel Kalaj, por dëshmitari ka deklaruar se nuk kishte dokumente për këtë pretendim.
“Ka pasur lidhje të forta me kryeministrin e atëhershëm. Ka takuar ministrin Genc Ruli. Ka edhe fotografi të tij me Genc Rulin.
Thuhet se ka telefonuar mbi 100 herë ish-kryeministrin Berisha.
Nuk është vetëm një e-mail, por janë disa e-maile që unë kamë gjetur, të cilat konfirmojmë që ky person merrte përsipër për të negociuar mes shtetit shqiptar dhe CEZ.
Tarifa e suksesit për këtë marrëveshje ishte 3.6 milionë euro, e vendosur në mënyrë të çuditshme për t’u paguar nga ana e fituesit, që ishte CEZ.
Thuhet në këtë letër që ky person, në vitin 2011, ka pasur në llogari të tij, 3.6 milionë euro.
Thuhet se ka pasur lidhje edhe me të birin e kryeministrit, por nuk ka materiale të plota për këtë”, ka deklaruar Kara para komisionit hetimor.
Ka një dokument i cili ishte vendimtar që komisioni hetimor për çështjen CEZ të investohej për të hetuar rolin e Shkëlzen Berishën në procesin e privatizimit si dhe të vendoste për ta thirrur ata si dëshmitar, raporton Shqiptarja.com, që ka bërë një përmbledhje të kësaj çështje.
Bëhet fjalë për një e-maili të ish-drejtorit të CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, i cili i shkruante nëndrejtorit të CEZ-it në Pragë, Tomas Pleskac, rreth takimit të planifikuar me Shkëlzenin dhe ish-kryeministrin Berisha. Sipas e-mailit, Josef Hejsek ishte me Nuel Kalajn në sallën VIP të aeroportit të Rinasit, dhe kishte ardhur në Tiranë për të negociuar me Shkëlzen Berishën dhe Sali Berishën.
Nga përmbajtja e e-mailit del qartë se, Nuel Kalaj është negociatori kryesor i marrëveshjes mes CEZ dhe qeverisë shqiptare.
“Me Nuelin sapo mbarova negociatat e tjera. I shpjegova në detaje se çfarë kërkojmë. Takimi me të birin, sipas Nuelit, është shtyrë për nesër pas ardhjes së PM (Kryeministrit). Çfarë duhet të presim nga kryeministri? Sipas Nuelit rezultatet në mënyrë të sigurt do të jenë pozitive dhe në 90 % konkrete. Ai më siguroi se për kryeministrin po punon një komision ndërministror, i cili në mënyrë të specializuar po trajton problematikën tonë. (Mund t’ju konfirmoj që kam folur me disa anëtarë të komisionit që po merren me këtë marrëveshje)”, shkruan Hejsek.
Komisioni hetimor administroi një llogari bankare të Nue Kalajt, i cili ka marrë nga CEZ transferta bankare mbi 7 milionë euro. Këto shuma i ka tërhequr cash me 16 qershor 2009, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të vitit 2009.
“Komisioni hetimor për privatizimin e OSSH tek CEZ ka administruar prova shumë të rëndësishme lidhur person Nuel (Nue) Kalaj i cili sipas dëshmive të deritanishme ka qenë “sekseri” i martesës së qeverisë shqiptare të Sali Berishës me kompaninë CEZ. Komisioni ka administruar llogari bankare të Nue Kalaj, i cili ka marre nga CEZ transferta bankare mbi 7 milionë euro. Dhe këto shuma më pas i ka tërhequr cash me 16 qershor 2009, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të vitit 2009. Komisioni po heton pse CEZ i ka bërë këto transferta tek ky individ dhe ku i ka çuar paratë cash Nue Kalaj, mik i ngushtë i djalit të Sali Berishës, Shkëlzen Berisha”, ka deklaruar ish-kryetari i komisionit hetimor, Taulant Balla.