Shorti i djeshëm në Champions League shtë ndjekur me shumë interes nga kapiteni Kombëtares shqiptare, Ansi Agolli, kur ai ka parë mundësinë e një përballjeje me Kukësin në turin e tretë kualifikues. Mbrojtësi i Karabakut ka bindjen se Kukësi mund ta kalojë Sheriff Tiraspol , për tu përballur në turin tjetër ndaj tyre.
“Edhe pse kemi fituar thellë 5-0, kemi edhe një ndeshje kundër Santredes në Gjeorgji. Si profesionist, më takon që të respektoj maksimalisht edhe ndeshjen e kthimit. Ne jemi të detyruar ta vlerësojmë në maksimum kundërshtarin, pavarësisht rezultatit të ndeshjes së parë. Në futboll nuk ka verdikte para se të luhet një ndeshje.
Sa i përket shortit, e ndoqa me shumë interes dje dhe mund të them se do të ishte mjaft emocionuese të luaja kundër Kukësit. Personalisht e shoh interesante një përballje me një ekip shqiptar në turin e tretë. Do të doja me gjithë zemër që Kukësi të mund t’ia dalë mbanë kundër Sheriff, edhe pse nuk do të jetë e lehtë.
Mua nuk më ka ndodhur asnjëherë në karrierë që të përballem me skuadra shqiptare në kompeticionet e Champions-it apo Europa League. Sa për Kukësin, unë mendoj se është një skuadër që ka bërë progres nga viti në vit, duke u kurorëzuar edhe me titullin kampion sezonin që lamë pas. Ky është një tregues i qartë se kemi të bëjmë me një klub ambicioz dhe të organizuar mjaft mirë” – u shpreh kapiteni kuqezi Ansi Agolli.