Më 5 shtator, Shqipëria do të duhet të udhëtojë 160 kilometra larg Shkupit, për të zhvilluar ndeshjen në një… burg. Një impiant që nuk plotëson asnjë kusht, e për më tepër, nënkryetari shqiptar i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muhamet Sejdini, deklaron se stadiumi “Mlladost” do të na befasojë.
Në një reportazh të zgjeruar, moderatorja e emisionit Rubrika Sportive në TVSH, Hygerta Sako, sjell intervista me përfaqësues të federatës së futbollit, ultrasit shqiptarë në Maqedoni dhe me… pronarët e impiantit privat ku do të luhet ndeshja.
Ndeshja mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2018, është planifikuar që të zhvillohet të martën e 5 shtatorit, fqinjët kanë filluar ta luajnë. Natyrisht, lojën jashtë fushe.
THIRRJET RACISTE NGA “MAJMUNËT”
Në vitin e largët 2003, Federata Maqedonase vendosi që miqësorja me Shqipërinë të luhej në Prilep. Më pas, më 15 nëntor të vitit 2011, Maqedonia duhej të organizonte një tjetër ndeshje miqësore kundër Shqipërisë. Kjo sfidë u zhvendos sërish në Prilep. Një miqësore që vetëm e tillë nuk ishte.
Thirrjet raciste nga tifogrupi “Majmunët” në shkallët e stadiumit “Gonçe Bençev” kundrejt shqiptarëve, mbahen mend më shumë sesa rezultati. “Loja u luajt. Gjithçka ishte në rregullat e futbollit. Kishte disa sharje”, shprehet fillimisht Sejdini. Në fakt ishin thirrje raciste, jo sharje… “Kur e them sharje, edhe fyerje. Ajo kuptohet…”, vijon ai.
RRËFIMI I EMILJANO VILËS
Por realiteti ishte krejt tjetër gjë. Emiljano Vila, futbollisti i Kombëtares shqiptare që ka luajtur në atë miqësore, e kujton krejt ndryshe. “Ka qenë një stadium shumë i vogël. Ishte një fushë që linte për të dëshiruar. Stadiumi, edhe nga brenda, edhe fusha, nuk lejonte asgjë për të luajtur futboll. Edhe nga tifozët kishte shumë fyerje dhe thirrje raciste. Ishte vetëm miqësore dhe nuk besoj se kishte nevojë për fyerje aq të rënda. Nuk e di se si e lanë atë ndeshje që dy përfaqësuese të luajnë në atë stadium”, deklaron Vila.
KUALIFIKUESET “RUSI 2018”
Pesë vite më vonë, shorti na vë përballë në të njëjtin grup eliminator. Shqipëria rikonstrukton stadiumin “Loro Boriçi”, që është një stadium më i madh dhe me kushte më komode sesa “Elbasan Arena”, por maqedonasit këtë e shpjegojnë si shtesë artificiale të kilometrave që duhet të përshkonin, duke qenë se Elbasanin e kishin më afër.
“Meqenëse po pyesni pse do të luhet në Strumicë, edhe unë po ju bëj një pyetje: Pse nuk u zhvillua ndeshja mes nesh në Elbasan? As ne nuk ishim kundër pse u luajt në Shkodër. Pra, nuk ka asgjë të keqe. Do të befasoheni me stadiumin ‘Mlladost’”, deklaron nënkryetari i federatës maqedonase.
Stadiumi kombëtar “Filipi i Dytë” është në punime e sipër, sepse në gusht do të presë Superkupën e Europës, i përzgjedhur nga UEFA për këtë superndeshje, por edhe një herë tjetër nuk është përzgjedhur nga federata maqedonase për të pritur ndeshjen me shqiptarët më 5 shtator. Nëse luhej aty, do të ishin prezentë 17 mijë shqiptarë.
TIFOZËT SHQIPTARË NË MAQEDONI
Edhe një nga grupimet më të famshme të tifozërisë shqiptare në shtetin fqinj, “Ballistët”, që njihen si mbështetësit më të flaktë të Shkëndijës së Tetovës, e kanë të qartë pse është zëvendësuar stadiumi i kryeqytetit me atë të Strumicës.
Ndonëse përfaqësuesi i tyre, Krenar Osmani, pranon se ata do të bëjnë përpjekjet maksimale për të mbështetur kuqezinjtë, ai shpjegon se kjo federatë nuk e ka për herë të parë që denigron tifozët shqiptarë të Maqedonisë. “Është dërguar në Strumicë për shkak të ligjit të UEFA-s, që 5% e stadiumit duhet t’u garantohet miqve.
Stadiumi kombëtar zë diku te 32.000-35.000 shikues dhe i bie që të ketë rreth 1700 ultras shqiptarë. Është ndryshe me 2000 ultras të mirëfilltë nga 300-500 që mund të jenë në Strumicë.
Ne do të mundohemi që të gjejmë zgjidhje, edhe pse në çështjen e biletave, edhe në ndeshjet e kampionatit kundër Vardarit në Shkup, aplikohet haptazi racizëm i shpifur ndaj nesh. Asnjë biletë nuk u shitet shqiptarëve. Të gjitha shiten me mjet identifikimi”, deklaron përfaqësuesi i “Ballistëve”.
ARSYEJA ZYRTARE
Arsyeja zyrtare e dhënë nga federata maqedonase është një nga motot e FIFA-s: Football for all- Futbolli për të gjithë. Zëvendëskryetari i federatës sqaron se nuk ka qenë aspak për arsye sigurie, siç është përfolur në media, zhvendosja nga stadiumi i Shkupit. “Nuk e kam dëgjuar këtë gjë.
Është marrë parasysh gjithçka dhe është vendosur që të luhet në Strumicë. Ne në Maqedoni mendojmë që nuk duhet të përqendrohet çdo gjë në Shkup, por çdokush nga sportdashësit ta prekë futbollin nga afër. I radhës është stadiumi i Strumicës, që i përmbush kushtet për një lojë të nivelit të tillë. Në të ardhmen, qeveria do të bëjë edhe ndërtime të stadiumeve në Manastir etj.”, deklaron nënkryetari i FFM-së.
RASTËSIA ME SHQIPËRINË
Në fakt, duket një rastësi e çuditshme kjo që ndodh me Shqipërinë. Vetëm katër herë ka ndodhur në këto 15 vitet e fundit që përfaqësuesja e Maqedonisë, ndeshjet e saj zyrtare apo miqësore, t’i luajë jashtë stadiumit “Filipi i Dytë”. Në këto katër raste, tri herë i ka takuar Shqipërisë.
STRUMICA
Distanca nga Shkupi është 160 kilometra për në qytetin e Strumicës. Zyrtarët e UEFA-s, që kanë certifikuar një stadium që është më shumë se 100 kilometra larg nga aeroporti kombëtar i Maqedonisë, nuk mund të kenë kaluar në rrugën e ngushtë që përshkohet për rreth 2 orë nga kryeqyteti, sepse ndryshe nuk do të kishin marrë këtë vendim. Madje, ironia e fatit është që aeroporti më i afërt me qytetin më lindor të Maqedonisë është ai i Selanikut.
Strumica është një qytet në lindje të Republikës së Maqedonisë, në kufi me Bullgarinë, dhe ajo që bie në sy është popullsia. Në këtë qytet jetojnë 100 mijë banorë, ku 91% e të cilëve janë maqedonas dhe 7% janë turq. Pra, nuk ka komunitet shqiptarësh. Ekipi që quhet “Akademia Pandev” ka fituar sezonin e kaluar divizionin e dytë maqedonas.
Ky klub mban emrin e kapitenit të famshëm të Maqedonisë, që ka ngritur një akademi futbolli në qytetin e tij të lindjes. Ky stadium ka shërbyer edhe si shtë- pia e Shkëndijës së Tetovës në ndeshjet kualifikuese të këtij sezoni në Europa Ligë.
STADIUMI “MLLADOST”
Vëzhgimi nga afër i stadiumit “Mlladost”. Më shumë mund të quhet një fushë stërvitore dhe një hapësirë komerciale, sesa një stadium i vërtetë ku mund të luhen ndeshje ndërkombëtare.
Hera e fundit që përfaqësuesja e Maqedonisë ka luajtur një ndeshje ndërkombëtare, ka qenë një miqësore ku vendësit kanë fituar 3-0. Hera e dytë do të jetë me Shqipërinë, më 5 shtator. Ndryshe nga deklaratat e zëvendëskryetarit të federatës maqedonase, që për RTSH-në përsërit plotësimin e standardeve, pamjet në stadium tregojnë një realitet tjetër.
“PRONË PRIVATE”
Ky impiant ka një tjetër fakt komprometues. Ai që mund të quhet stadium i licencuar për një ndeshje ndërkombëtare, është në fakt një pronë private. Për të luajtur ndeshjen kundër Shqipërisë, federata maqedonase duhet të paguajë pronarin e këtij stadiumi. Natyrisht që ardhja e një grupi xhirimi nga Shqipëria në një pronë private nuk është pritur mirë nga të zotët e stadiumit, të cilët e kanë shumë të vështirë të kuptojnë arsyen e kësaj vizite.
Edhe pse në fund pranojnë që të flasin për mikrofonin e RTSH-së. “Më 5 shtator do të luhet ndeshja ndërkombëtare mes Maqedonisë dhe Shqipërisë në stadiumin tonë, ‘Mlladost Strumica’. Unë jam presidenti i klubit Bellasica dhe do të jem mikpritës i këtij takimi.
Stadiumi nuk do të jetë në këtë gjendje siç është tani, por më 5 shtator do të jetë shumë më ndryshe me disa përmirësime. Nuk është rastësi që u zgjodh ky stadium për ndeshjen Maqedoni-Shqipëri. Kjo për faktin se stadiumi ‘Filipi i Dytë’ po përgatitet për ndeshjen e Superkupës së Europës mes Realit të Madridit dhe Mançesterit”, deklaron Sllavko Pinda, pronari i “Mlladost”.
STADIUMI
Stadiumi “Mlladost” ka një kapacitet prej 6500 vendesh dhe ambientet rreth e rrotull të krijojnë më shumë idenë e një ambienti tregtar e argëtues, sesa të një stadiumi futbolli.
Është ndërtuar në vitin 1950 dhe është rikonstruktuar në vitin 2005. Arsyeja zyrtare e zhvendosjes nga Shkupi drejt Strumicës ishte që futbolli duhet të shkojë në çdo qytet, qoftë edhe i largët.
Por faktet nuk i japin të drejtën më minimale federatës fqinje. Degdisja e një derbi të tillë ballkanik është nga frika se një ndeshje futbolli mund të prodhojë të tjera zhvillime në Maqedoninë e trazuar. Inspektorët e UEFA-s, deri tani, kanë dhënë dakordësinë e tyre për ta luajtur aty ndeshjen mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, por një notë proteste e FSHF-së mund të provokojë ndryshim kursi.
“Një gjë e tillë te ne nuk ka ardhur, pra që FSHF kërkon që ndeshja të luhet në Shkup. Letra e dërguar në UEFA është punë e saj dhe çdo federatë e ka të drejtën e vet”, shpjegon nënkryetari i federatës maqedonase. Faqja zyrtare e UEFA-s nuk e ka publikuar ende zyrtarisht emrin e stadiumit se ku do të luhet më 5 shtator.
Tashmë, FSHF ka të gjithë materialin e duhur, madje edhe filmik, për të treguar më së paku se stadiumi i Strumicës nuk i përmbush kriteret për të luajtur një ndeshje normale. Maqedonasit e treguan edhe në Shkodër që mund të na vënë në vështirësi duke luajtur futboll brenda fushës së blertë. Loja jashtë saj lë një shije tjetër…