Milani e ka seriozisht. Me blerjen e fundit të Leonardo Bonuçit, i cili kreu edhe vizitat mjekësore dhe do të luajë me fanellën kuqezi për 5 vitet në vazhdim, revolucioni kinez në “San Siro” ka marrë formë. 40 milionë eurot e shpenzuara për mbrojtësin më të mirë në botë dhe rroga që me bonuse shkon në 10 milionë euro konfirmon se “Djalli” kërkon ti rikthehet lavdisë dhe për këtë nuk po kursehet.
Bonuçi i shtohet merkatos prestigjoze të Milanit, ku deri më tani janë afruar 8 emra të rinj. Nga Musaçhio, Kessié dhe Ricardo Rodríguez, për të vazhduar me André Silva, Borini, Calhanoglu, Conti dhe Lucas Biglia, me ish-mesfushorin e Lazios që së fundmi kreu testet mjekësore. Këtyre afrimeve u shtohet edhe rinovimi i kontratës së Donnarummas, që vlen më tepër se një blerje. Qëndrimi i portierit 18-vjeçar ishte një prej garancive më të rëndësishme të dhëna nga pronari kinez i klubit, Yonghong Li.
Euforia e tifozëve në selinë qendrore të klubit është rikthyer pas disa viteve, ndërsa përveç entuziazmit, te Milani tani kanë rigjetur edhe ëndrrën për të qenë sërish protagonist. Titulli në Serinë A, që mungon prej sezonit 2011-2012, nuk cilësohet më një togfjalësh tabu. Madje ka edhe nga ata më guximtarët, që e krahasojnë këtë sezon me vitin e parë të Silvio Berlusconit, që sapo mori drejtimin e Milanit bleu Gullitt dhe Van Basten.
Revolucioni kinez te Milani nuk ka ndërmend të ndalet. Pas nëntë blerjeve të mëdha, për të cilat në total janë shpenzuar 212 milionë euro, tashmë synohet edhe një tjetër emër i madh. Pierre Emerick Aubameyang, një lojtar që vetëm pak muaj më parë dukej një ëndërr për forcën financiare dhe për nivelin e Milanit. “Djalli” është rikthyer dhe asgjë nuk është më e pamundur./SS/
Shume shtrenjte i kushtoi milanit !
Qendrimi per nje periudhe te gjate sportive,pa blerje cilesore,e detyroj te bej blerje super te shtrenjta !
Mendoj se keta lojtar, duan trajner jo per te kaluar ture, por te kete fituar kupa !
Deshirojme ta shikojme, perseri Milanin ,me trofe.