Zgjedhjet, zmbrapsen turistët. Shfrytëzimi i hoteleve dhe restoranteve ra në prill-qershor

18 Korrik 2017, 14:11Ekonomia TEMA

Të paktën katër ture turistësh nga Izraeli kishin anuluar prenotimet e qershorit për një guidë në Alpet shqiptare, tha shoqëruesi i një grupi turistësh prej  20 vetash nga Jerusalemi, të cilët sapo kishin përfunduar udhëtimin në këmbë të shtegut Theth-Valbonë.

Anulimet kishin pasur si shkak klimën e pasigurisë që kishin krijuar zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të qershorit.

Tani situata është kthyer në normalitet dhe kërkesa për të vizituar Alpet shqiptare si pjesë e shtegut të madh të Alpeve Dinarike është në rritje.

Banka e Shqipërisë konfirmoi ngërçin që pa sektori i shërbimeve në tremujorin e dytë të vitit, nëpërmjet vrojtimit të biznesit.

Hotelet dhe restorantet kanë konfirmuar se kapacitetet e shfrytëzimit kanë rënë në tremujorin e dytë të vitit me 8%. Sektori pohoi se norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ishte 71% në raport me gati 80%  që ishte në tremujorin e parë të vitit.

Kjo normë rezulton 4.8 pikë përqindje më poshtë mesatares historike të saj.

Gjithsesi, sektori i shërbimeve performoi me një volum më të lartë të shfrytëzimit të kapaciteteve se sektori i ndërtimit, por më të ulët se ai i industrisë.

Por sipas vëzhgimit të ‘Monitor’, zonat kryesore turistike të vendit kanë shtuar dukshëm kapacitetet e akomodimit.

Të nisur nga pritshmëria për një fluks të lartë turistësh për shkak të pasigurive që shfaqi Turqia vitin e kaluar, shumë hotele të reja nisën punë këtë verë në të gjithë zonën bregdetare nga Velipoja deri në Ksamil.

Zona e Golemit po mban rekordin, ku pavarësisht betonizimit të lartë sërish mes hapësirave boshe po ndërtohet masivisht.

Rritja e kapaciteteve shihet të jetë një faktor tjetër që ka sjellë mosshfrytëzimin e plotë të tyre, duke qenë se pjesa më e madhe e agjencive të e huaja u bënë në muajt në fillim të vitit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje