Edi Rama nuk ka se si të jetë duke legjitimuar se vetë ai, ka ngritur një sistem ku problemet zgjidhen vetëm nga lideri. Përkundrazi, me dëgjesat publike si stil i ri qeverisës, ai po denoncon një sistem të tillë, të ngritur për njëzetë e kusur vite nga paraardhësit e tij, mbi shtyllën e pushtetit të “njëshit”.
I akuzuar se po ngre kultin e liderit suprem që zgjidh hallet, në fakt Rama po bën të kundërtën, po e denoncon, zhvesh këtë mendësi e praktikë pushteti dhe provë e kësaj, ishte shkarkimi i drejtorit të ALUIZNI-t në Berat.
Nëse drejtori i Beratit do të kishte qëndruar ende në detyrë pas zgjidhjes së hallit të gruas së moshuar brenda një dite, atëherë do të thonim me plot gojën se Rama, është lideri që ti zgjidh hallet e shkaktuara nga një sistem, për të cilin është (bashkë) fajtor.
Kulti që po ngre Rama tingëllon një përrallë naive, për aq kohë sa ai ka treguar një pjekuri politike, me shprehjen e përgjegjësisë se nuk mund të vazhdohet me zgjidhjen e problemeve përmes ankesave të kryeministri, e se duhet riformatuar administrata dhe bërë atë efiçente… E me gjasë ky ishte mesazhi që donte të përcillte me shkarkimin e drejtorit të ALUZNI-it, ndonëse ky i fundit ia zgjidhi hallin gruas. Dhe po këtë tregon fjalia e tij në facebook: “Po sikur dje zonja të mos e kishte pasur mundësinë t’a ndante me mua hallin e saj, edhe sa vjet të tjera do të priste që drejtori të merrte masa ndaj torturuesve të saj dhe t’i dorëzonte lejen e legalizimit?!
Më shumë se se pranim i paciptë për fajësi në një sistem ku problemet zgjidhen vetëm nga lideri, është denoncim për një sistem që nuk e ka ngritur Rama, por që i ka rënë barra të jetë pjesë si kryeministër për një 4 vjeçar, dhe tani po kërkon ta luftojë.
Më shumë se sa modeli i liderit që bën kurban peshqit e vegjël, është alarm ai që ngre Rama, mbi atë se në ç’derexhe janë institucionet dhe administrata e këtij vendi. Më e rëndësishme se sa forma e dëgjesës publike, që disa e konsiderojnë show vulgar i Ramës, është përmbajtja e shëmtuar që fshihet pas saj, të cilën Rama po e çmonton vetë përmes këtij turi që edhe aq pa thelb nuk është.
Sistemin që nuk e ngriti vetë por e trashëgoi nga mbreti i kaosit, Sali Berisha, Rama ka nisur jo ta gërvishtë, por ta trondisë me asnjë lloj mënyre diktatoriale e autoritare, por duke ua lënë qytetarëve ta provojnë si të këtillë, në kurriz të të cilëve ky sistem është ushqyer. Edhe aq anti-demokratike si mënyrë nuk qenka!
A po anashkalon ai institucionet me “zgjidhjen” e këtyre halleve? Edhe kjo është një tymnajë në opinionin publik. Institucionet janë më afër qytetarit, por kjo nuk është klauzolë ligjore që ndalon të zgjedhurin e parë të qytetarëve, të përmbushë detyrën e tij për ti dëgjuar ata, veçanërisht kur ato institucione janë atrofizuar.
Dhe e dyta, nuk ka asnjë shkelje ligjore, sepse kryeministri nuk po ndërhyn në asnjë nga procedurat institucionale burokratike që ua kanë bërë të vështirë me pahir problemin, qytetarëve që i ankohen Ramës. Vetëm po i dëgjon ata. Po shkarkimi i drejtorit çfarë ishte? Ishte shkarkim i një njeriu problematik në raport me ligjin.
Duke i dhënë lejen gruas brenda një dite, drejtori nuk zgjidhi hallin e saj, por dëshmoi se sa rëndë është sistemi. Si u zgjidh halli për një ditë kur nuk u zgjidh për vite?
Pra le ta evidentojmë këtë dallim, drejtori është shkelësi, administrata e tij, jo Rama. Drejtori është problemi, qoftë me zvarritjen, qoftë më dhënien e përnjëhershme të lejes së legalizimit, e kësisoj s’mund të jetë zgjidhësi i hallit të gruas.
Zgjidhësi i hallit nuk është as Edi Rama. Rama është vetëm denoncuesi i sistemit që forcon pushtetin e “njëshit”, vetvetiu edhe kultin e individit. Denoncim, që në lukuninë e sulmeve ndaj tij për kapje të çdo sistemi, s’mund ta bënte i vetëm. Do ta kryqëzonin si diktatori që po lufton armikun imagjinar. Për këtë zhveshje të sistemit i nevojitej aleanca me qytetarët.
Ashtu sikundër s’mund të akuzohet se po ngre kultin e liderit suprem, një njeri që merr guximin të ulërasë kundër sistemit në të cilin ka qeverisur, por me vetëdijen e bërë publike se po, ai duhet të rindërtohet.
Liderët e infantilizuar pas kultit, ndihen rehat në llumin që prodhon pushteti i “njëshit”.
Edi Rama me sa duket, nuk ndihet rehat, e as nuk mendoka të lerë njeri rehat!