“Armën ma bleu vetë Ervini. Shkova në Dajt dhe bëra qitje. Më pagoi që ta ruaja Mishelin dhe më tha se do m`i jepte paratë në dy pjesë”!
Kështu ka rrëfyer në hetimet paraprake personi që u arrestua si atentatori i një djali që njihej ndër të tjera edhe si aktor.
Janë edhe katër të tjerë të arrestuar për këtë ngjarje ndërsa mësohet se gjithçka ka ndodhur nga një konflikt i hapur në vitin 2010 mes tij dhe të plagosurit të katër ditëve më parë kur ishin të vetëpunësuar në shpërndarjen e kokainës dhe të heroinës në Tiranë, shkruan “Shekulli”.
Sipas të dhënave hetimore mësohet se gjithçka që ka ndodhur mes Ervin Zallumit dhe Mishel Prelës ka qenë thjesht prishje pazaresh, ndërsa asokohe Misheli e plagosi me thika Ervinin dhe ky i fundit shpëtoi mrekullisht.
Tashmë Miklar Tola, i cili është vënë në pranga bashkë më vëllanë e tij më të vogël se vetja dhe tre persona të tjerë ka dalë dje para gjykate dhe është njohur me masën e sigurisë por pa kundërshtuar për asgjë akuzën dhe as gjykatën!
Për më shumë së një muaj Miklar Tola dyshohet të jetë paguar për të përgjuar dhe spiunuar lëvizjet e Mishel Prelës, një i ri i vendosur në shënjestër të një atentati të dështuar për hesape të pambyllura mes tij dhe një biznesmeni.
32-vjeçari i dyshuar për vrasje në bashkëpunim të ngelur në tentativë, u soll para gjykatës si njëri nga pesë të dyshuarit e vendosur në prangat e Policisë së Tiranës, ndërsa në seancën me dyer të mbyllura ndoqi në heshtje masën e vendosur ndaj tij, atë të arrestit me burg.
Por më i rëndësishmi përveç porositësit shikohet 34-vjeçari, Shkëlzen Buci, një ish-tregtar që pasi ka dështuar në biznes ka pranuar të kontraktohet nga biznesmeni në fushën e ndërtimeve, Ervin Zallumi, për të kryer krimin.
Miklar Tola ka rrëfyer se Shkëlzeni i kishte kërkuar të raportonte itinerarin e Mishelit, punë për të cilën do të paguhej në mbyllje të porosisë.