Pse është i vështirë bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë në ekonomi?!

24 Korrik 2017, 13:42Blog TEMA

Nga Ben Andoni

Fill pas mbarimit të luftës së Kosovës dhe pastaj shpalljes së saj të pavarësisë, optimistët dhe patetikët mendonin se të dy vendet tona do të afroheshin shumë me njëri-tjetrin. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shkoi dhe më shumë sepse futi në platformën e tij politike edhe takimet e përbashkëta me qeverinë e Kosovës, ku tre syresh patën më shumë vlerë propagandistike sesa eficente. E fundit, e katërta, që do të bëhej në Vlorë dështoi paq, sepse të dy qeveritë nuk u mblodhën ngaqë nuk kishin se çfarë të raportonin më ose të tregonin përballë publikut respektiv. Me pak fjalë, fasada nuk mbante më.

Pas problemeve në vite me miellin, qumështin, vezët, në ditët e fundit vendin e medias e ka zënë çmimi i referencës për pataten. Autoritetet kosovare nuk mund të pajtohen me vendimin e kolegëve shqiptarë për vendosjen e këtij çmimi, i cili llogaritet nga 18 deri 19 centë për një kilogram. Aq u ashpërsuan këto marrëdhënie saqë Ministri kosovar në detyrë i Financave Avdullah Hoti shkoi më tej, kur pohoi se ky çmim referent ishte i lartë, i dëmtonte prodhuesit e tyre dhe nëse nuk ka lëvizje nga Shqipëria do të shqyrtohen masat e tjera ligjore!

Gjithsesi, në orët në vijim, Shqipëria dhe Kosova do ulen në rangun e dy përfaqësuesve të lartë teknikë, lidhur me çështjen e çmimeve referente që po vendosen nga pala shqiptare, si dhe për çështje të tjera që janë pjesë e marrëveshjeve, nënshkruar deri më tani nga dy vendet.

Po pse përsëriten kaq shpesh problemet ekonomike mes dy vendeve tona? Për arsyen e thjeshtë sepse këto marrëdhënie, paçka deklamimeve nuk kanë qenë asnjëherë dhe ende nuk janë në atë nivel që duhet. Nëse faktorët politikë mendohen si të parat, duket se janë vetë bizneset, konsumatorët dhe mbarë shqiptarët, që kanë probleme mes vete ose më saktë është struktura dhe modelet ekonomike të dy vendeve tona që e pengon zhvillimin e përbashkët.

Në një studim të ekon.al, Ilir Ciko pretendon se Kosova është i vetmi partner tregtar në rajon, me të cilin Shqipëria gjatë viteve të fundit ka një bilanc tregtar pozitiv. Kështu në vitin 2016, eksportet përbëjnë 74% të tregtisë me Kosovën dhe mbulimi i importeve nga eksportet në Kosovë është në nivelin 285%, nga 208% ku i njëjti tregues ishte në vitin 2006. Por më i rëndësishëm është fakti se tregtia mes dy shteteve shqiptare është mbi pesëfishuar gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, nga rreth 30 milionë euro gjatë 2006, në plot 165 milionë euro në 2016 (theksojmë se tregtia me Kosovën arriti vlerën më të lartë në vitin 2015, me 194 milionë euro).

Në të njëjtin studim shpjegohet prej teorive të integrimit tregtar dhe justifikimet e këtij fenomeni, kur thuhet se kështu ndodh në vendet e përfshira në procese integruese kur niveli i zhvillimit ekonomik të tyre është krahasimisht i ngjashëm (Michael Porter: The Competitive Advantage of Nations, New York: Free Press, 1990).

Dhe, sa më e ngjashme është struktura ekonomike mes vendeve, ashtu si edhe është mes nesh, aq më lehtë e shpejt realizohet procesi i integrimit në praktikë, por po aq më të vogla janë edhe përfitimet përkatëse nga të tilla vende që integrohen ekonomikisht me njëri-tjetrin.

Rasti i Shqipërisë me Kosovën duket se është një ilustrim i këtij faktori të rëndësishëm, kur e njëjta teori vërtetohet edhe në modelin e anasjelltë, sipas të cilit vendet që integrohen kanë përfitime shumë më të larta dhe procesi është më i vështirë në rastet kur ekzistojnë ndryshime thelbësore të strukturave ekonomike dhe nivelit të zhvillimit mes tyre, referuar Cikos. Gjithsesi të dy vendet e kanë kuptuar mirë këtë realitet, teksa mendojnë gjithnjë e më shumë për zhvillimet komplementare që sjellin të dy vendet. Rasti i sistemeve energjetike, që mund të ndihnin njëri-tjetrin për të krijuar një vlerë ekonomike shumë më të madhe se shuma e vlerave të izoluara të tyre, njihet mirë dhe për to diskutohet shpesh mes qeverive. Paçka se në këto zhvillime, po luan një rol të keq Serbia që e ka bllokuar interkonjeksionin Shqipëri-Kosovë.

Në studim përmenden për këtë argument raste pozitive në turizmin malor me atë të detit, prodhimet bujqësore dhe blegtorale, disa industri të caktuara si ato minerare dhe përpunimit, që mund të konsiderohen deri diku raste të ngjashme komplementare, por numri i tyre është aq i kufizuar saqë nuk ka shumë pritshmëri mbi zhvillimin e tregtisë së dy vendeve. Ndërkohë që të gjithë këtij rebusi i shtohet edhe baza e niveli real i zhvillimit të ekonomisë së dy vendeve, që bazohet kryesisht në biznese të vogla dhe të mesme, përgjithësisht me natyrë aktiviteti lokal dhe pa ambicie të dukshme eksportuese.

Me pak fjalë, vizioni i politikave ekonomike dhe jo propaganda mund ta çojë përpara zhvillimin mes dy vendeve tona, kur duhet theksuar se me gjithë ritmet e larta të rritjes së tregtisë me Kosovën dhe peshës së saj në tregtinë e jashtme të Shqipërisë, sërish ajo mbetet në një nivel shumë të ulët dhe shqetësues për politikanët tanë, kur krahasohet me partnerët e tjerë tregtarë, më vetëm 3% të saj! Dhe, kur rreshtohen shifrat (lexo faktet) ato i hedhin poshtë gjithnjë argumentet për vëllazërimin tonë! (Javanews)

4 komente në “Pse është i vështirë bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë në ekonomi?!”

  1. Erza says:

    Ik mer klysh shkije, se ti je i pari qe bene si gore e do qe keto marredhenie te mos rregullohen kurre. S’e di pse ty nje kozompordhit tipik, qe bene si anti-nacional, te paska ngelur gozhda tek shqiptaret neper troje? Nese marredheniet s’jane ne nivelin e duhur tani, do rregullohen ne te ardhmen. Por akuzat dhe insinuimet groteske qe ti beje neper pritjen e Ambasadave te huaja, duke thene qe shqiptaret s’i kane ndihmuar hebrenjte do ngelen aty si turpi i delirit tend. Po ashtu dhe kur shkruaje artikuj qe te merrnim shembull nga Greqia per emigrantet, kur dihet qe ne Greqi i vejne zjarrin kampeve te refugjateve, perdorin emigrant te mitur per prostitucion e i vrasin rrugeve si qen, nderkohe qe shteti grek e policia i mbulon keto krime si aksidentale. Por s’harrojne te marrin parat e Europes per te trajtuar emigrante gjasme, para qe perfundojne ne xhepat e oligarekve dhe mafies politikes greke. Keto si permendje ne artikullin tend patetik.

    Ju “anal-istat” e kohes se sotme sidomos tek ne ne Shqiperi, jeni rraca me e ndyre e njerzve dhe s’bene cudi qe shume nga ju jeni paguar nga qarqet anti-shqiptare.

  2. kleptofagos says:

    Ne ekonomi, po se po, por pse jo edhe ne kulture qe nuk ka shume shpenzime?
    Ne ekonomi jane interesat e fshehta dhe monopolet, tek te dy anet e kufirit ..
    Ne kulture, mbizoteron demagogjia dhe jo interesi kombetar ..
    Bashkimi ekonomik dhe kulturor eshte parakusht per integrimin e perbashket dhe te njekohshem europian ..
    Sa me shume flasin shtetaret tane per bashkimin politik te dy vendeve aq me e madhe eshte hipokrozia dhe qellimet e mbrapshta ..

  3. Fshatari says:

    Ky tipi gjysmen e surratit e ka si serb dhe gjysmen si grek,nderkohe qe per nga temperamenti ,eshte bere pishman qe ka lindur

  4. Lili says:

    Te tregojme pse: sepse marxiste leninistat tone u mesuan nga markiste leninistat e shqiperise me vjedh pacpasurine kombtare me te njetat skema si ne shqiperi. pra kemi te njetet grabitcare po me te njetet produkte, edhe nuk munden me i ba konkurence vetvetit…
    Sikur te kishim pasur ndermarese e jo grabitcare do kishim investuar qe ne fillim ne fushat plotesuese te ekonomise shqiptare e jo lehte e shpejt ne grabitje e pasurise kombtare..
    Hyrneku qe u dha ketyre marxisteleninistave ka faj…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje