Ekskluzive/ Reiz Malile: Nuk kemi para të harxhojmë për librat e Kadaresë?!

26 Korrik 2017, 09:04Politika TEMA
Ekskluzive/ Reiz Malile: Nuk kemi para të harxhojmë për librat e

Nga Dashnor Kaloçi

Libri i Kaloçit “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist…”, publikohet telegrami shifër “Tepër sekret” i vitit 1985, ku kërkesës së ambasadorit shqiptar në Argjentinë, Pirro Andoni për blerjen e librave të Kadaresë që do shpërndaheshin edhe në përfaqësinë tonë në Peru e Meksikë, ministri i Punve të Jashtme në Tiranë i përgjigjet negativisht?!

Ashtu siç dihet tashmë dhe është bërë e ditur edhe nga një numër i madh dokumentesh arkivore të publikuara në shtyp pas viteve ’90-të, me ndonjë përjashtim të rrallë, pjesa më e madhe e përfaqësive diplomatike të “Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të akredituara në vënde të ndryshme të botës, kryesisht ato që ishin në vëndet afrikane e Amerikën Latine, punën dhe detyrën kryesore të tyre kishin: “Shpërndarjen e veprave e librave të shokut Enver Hoxha”, apo “Frymëzimin, përkrahjen, mbështetjen e financimin e grupeve të ndryshme marksiste-leniniste, në luftën e tyre për liri, çlirim kombëtar dhe përmbysjen me dhunë të regjimeve….”

Ndërsa pjesa tjetër e punës së tyre kishte të bënte me “përhapjen e artit e kulturës shqiptare”, në vëndet ku ata ishin dhe rajonin që mbulonin. Gjëra të cilat duhet thënë se ishin mjaft të rralla, sidomos për ato përfaqësi diplomatike të akredituara në vënde mjaft të largëta (si Tanzania, Iraku, Brazili, Kili, Meksika, etj), që Shqipëria e vogël komuniste as nuk njihej fare. Ndryshim nga këto vënde bënte ambasada shqiptare në Argjentinë, (Buenos Aires), për të vetmin fakt se aty kishte një komunitet të vogël shqiptarësh, kryesisht emigrantë ekonomikë të ikur që nga periudha e Monarkisë së Zogut dhe të mbetur aty nga lufta, apo rrethana të tjera.

Në këtë kuadër, ajo ambasadë zhvillonte hera herës dhe ndonjë aktivitet kulturor, si p.sh. ndihmesën për botimin e publikimin e ndonjë libri shqip, si p.sh. librat e Kadaresë dhe më pas Agollit e disa shkrimtarëve të tjerë. Gjë e cila bëhej nën moton: “Bota kapitaliste e revizioniste do të shoh tashmë përparimin dhe epërsinë e rendit tonë socialist, jo vetëm në ekonomi, por edhe në art e kulturë”?! Edhe në këtë kontekst është bërë përkthimi e botimi i librit “Dasma” të Kadaresë në Argjentinë, gjë e cila bëhet e ditur nga ky dokumenta arkivor që po publikojmë në këtë pjesë të librit. Kjo gjë, pra mbështetja për botimin e librit të Kadaresë në atë vënd të largët të Amerikës Latine, vinte dhe për shkak të interesimit e punës të ambasadorit shqiptar atje, Pirro Andoni.

Një njeri tepër i kulturuar dhe i shkolluar gjithashtu, i cili ishte bërë pjesë e shërbimit diplomatik shqiptar, pasi për disa vjet me rradhë kishte punuar si gazetar e përkthyes në Radio-Tirana. Dhe në këtë kuadër, pasi kishte “vënë për vijë”, përkthimin e botimin e romanit “Dasma” të Kadaresë, ai i bënte kërkesë Ministrisë së Punëve të Jashtëme në Tiranë, që t’i jepnin autorizimin për blerjen e 100 copë librave, të cilat mendonte t’i shpërndante edhe në Peru e Meksikë. Por kjo gjë nuk i është miratuar nga eprorët e tij, apo më saktë, ministri, Reiz Malile, i cili në telegramin përkatës, ka vënë shënimin: “Pse? Nuk kemi të harxhojmë para”?!

Kjo gjë, pra mosaprovimi i fondit prej 350 dollarë që kushtonin 100 librat e Kadaresë, me shumë gjasa nuk bëhej për kursim, por për vetë raportet që kishte në atë kohë shkrimtari me regjimin komunist të Tiranës, gjë e cila e kishte zanafillën që me ngjarjen e 18 dhjetorit të vitit 1981 kur kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur nga plumb-a pistolete në dhomën e tij të gjumit?! Dhe vazhdoi më pas me procesin hetimor të ish-ministrit të Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, ku sipas proces-verbalit të marrjes së tij në pyetje, (dokument mjaft i njohur tashmë), Kadareja “implikohej në grupin e Mehmet Shehut”?!

Dhe pas këtij procesi, situata e Kadaresë në raportet me shtetin erdhi duke u rënduar. Ndërsa ndalimi i ndonjë libri të tij tashmë është fakt i njohur, në vitet që pasuan, në mjaft ftesa që i vinin nga jashtë, emri i tij tashmë do të ishte “i refuzuar”?! Gjë e cila konfirmohet dhe bëhet e ditur edhe nga mjaft dokumente arkivore që publikohen në këtë libër dhe jo vetëm, ku titullarët më të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, kanë vënë shënimet e tyre, si p.sh. “Të mos u jepet

vizë Michel Pikoli-s dhe grupit të xhirimit të “Gjeneralit…”, “Kadare të mos shkojë, të mjaftohet me një falenderim”, “Nuk është momenti i përshtatshëm që Kadare të shkojë…”, etj etj. Gjë të cilat ishin një “pikë ujë në oqean”, para asaj që Tirana zyrtare i bëri shkrimtarit të njohur në vitin 1985, ku kërkesës së Francës për t’i dhënë “Legjionin e nderit” dhe më pas propozimin për çmimin Nobel, jo vetëm që e refuzoi, por “e kërcënoi” Francën, duke iu përgjigjur: “Dekorimi i Kadaresë, bëhet me qëllime të caktuara, nëse Franca do ta bëjë atë në mënyrë të njëanëshme, atëhere ajo ështe ndërhyrje….”. Dhe kjo gjë u përsërit pikë për pikë edhe në vitin 1989. Gjë të cilat do t’i shohim në kapitujt në vijim të këtij libri.

D E SH I F R I M TEPER SEKRET

Të rikthehet në organin e shifrës Nr. i fletës

Ndalohet me nxjerr kopje

Nr.2121 Nga Buenos Aires

Nr. 51 Data: 19.1.1985

KOMITETIT KULTUROR

Romani “Dasma” i I. Kadaresë është dërguar për botim. Përkthyesja Elena Sevesini ka bërë parapagesën. Për t’u bërë botimi pritet pëlqimi i autorit për disa shkurtime të vogla të bëra nga përkthyesja. Nëse autori është dakort mundësisht lajmëroni shtëpinë botuese përkatëse me këtë adresë:

Francisko M Lohle Tacuari 1516 Buenos Aires

Argentina.

Jemi të interesuar për t’u bërë një botim i tillë, që do të na hapë rrugën për në të ardhmen.

…………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

Shkruhet vetëm me bojë dhe shkrim të pastër

Gjithë korigjimet vërtetohen nga nënëshkruesi dhe përpiluesi

Ndalohet që përmbajtja të flitet hapur në telefon

Nr. 467 TEPER SEKRET

S H I F R I M Nr. i fletës

Adresa: Ambasadës Buenos Aires

Koncepti: Tuajit 51

Ismail Kadareja ka marrë letër nga përkthyes Eleni Sevesini dhe është dakort me shkurtimet që i ka bërë romanit të tij “Dasma” E njoftoni të interesuarën. Për dijeninë tuaj edhe Lidhja e Shkrimtarëve është dakort. Na njoftoni përfundimin.

2.II.’85

Sh. Jorgo

Ndiqeni dhe gjegjuni

Reiz Malile

22.1.’85

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………..

D E SH I F R I M TEPER SEKRET

Të rikthehet në organin e shifrës Nr. i fletës 101

Ndalohet me nxjerr kopje

Nr.21909 Nga Buenos Aires

Nr. 597 Data: 6.7.1985

KOMITETIT TE MARREDHENIEVE

Nga libri “Dasma” të Ismail Kadaresë që u botua në Argjentinë mendojmë të blejmë 100 copë për ambasadën tonë, për atë të Meksikës si dhe për të dërguar në Peru. Çmimi i librit është rreth 3.5 dollar. Presim mendimin tuaj si dhe autorizimin që kjo blerje të bëhet për llogari të komitetit.

Nuk kemi

për të harxhuar para

Reiz Malile

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………..

 

1 komente në “Ekskluzive/ Reiz Malile: Nuk kemi para të harxhojmë për librat e Kadaresë?!”

Comments are closed.

Lini një Përgjigje