Rudi Vata, ish-kapiteni i Kombëtares (54 ndeshje, 5 gola), tha gjatë një interviste ekskluzive për Vipsport.al se, trajneri i ri i Kuqezinjve, Christian Panucci, dhe ai i Partizanit, Mark Iuliano, duhet të tregohen të duruar dhe të përshtaten sa më shpejt me realitetin futbollistik shqiptar.
“Nëse duan të mbijetojnë në strokullën tonë, duhet të jenë të durueshëm e të punojnë fort”, – tha ish-lojtari i Celtic Glasgow në linjë telefonike nga Mali i Zi.
Menaxheri i njohur shkodran i FIFA-s foli edhe për problematikën e futbollit shqiptar dhe ecurinë e skuadrave tona nē Europë.
-Rudi Vata, mirëseerdhët në VIP Sport. Kombëtarja dhe Partizani kanë përzgjedhur dy trajnerë italianë: Christian Panucci dhe Mark Iuliano. Cili është opinioni juaj?
-Faleminderit për ftesën dhe urime më të mira medias suaj. Për mendimin tim të dy trajnerët e rinj, si Panucci ashtu dhe Juliano, janë emra të mëdhenj të futbollit “Made in Italy” dhe janë vlera të shtuara në futbollin shqiptar. Si trajnerë nuk kanë eksperienca të mëdha, por si futbollistë kane qenë të shkëlqyer dhe kush do të ketë mundesinë të punojë me ata, do te ketë fatin që të mesojë e të kuptojë plot gjëra të reja dhe interesante.
-Po kthehet në një tendencë punësimi i trajnerëve italianë në Shqipëri…
-Për imazhin e futbollit shqiptar është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me emra serioz dhe profesionistë të niveleve të larta. Është e vetmja mënyrë për të mësuar prej tyre mënyrën e punës dhe sjelljes si profesionist të vërtetë.
-Realiteti futbollstik shqiptar nuk është dhe aq miqësor kundrejt trajnerëve të huaj. Cila do të ishte këshilla e Vatës?
-Shpresoj që, të dy italianët “Big” të adaptohen sa më shpejt, të jenë të durueshëm duke punuar fort për te ndryshuar mentalitetin shqiptar të menduarit e të punuarit. Unë uroj të jenë të suksesshem e të kenë jetëgjatësi në strofkullën e vështirë të futbollit shqiptar.
-Si e vlerësoni paraqtjen e skuadrave shqiptare në kompeticionet europiane gjatë këtij sezoni?
-Perderisa ekipet shqiptare, përveç Skënderbeut u eliminuan shume shpejt, besoj se nuk kanë pasur suksesin e dëshiruar.
-Është kohë merkatoje…
-Për të qenë i sinqertë, nuk e kam ndjekur. Nuk është interesante dhe nuk funksionon mbi baza profesionale, çdo gjëntipike “alla shqiptarshe”
-Vllaznia?
-Nuk kam asgjë për Vllazninë, vetëm më vjen keq që, nuk doli një burrë apo grua, i zoti apo e zonja, për per ta ringritur Vllazninë në majën e futbollit dhe për t’i kthyer Shkodrës e shkodranve krenarinë e humbur.
-Rudi në rolin e menaxherit. Si po ecën merkatua juaj?
-Kam krijuar profilin tim të menaxherit, punoj mirë e qetë dhe me mënyrën time. Çdo gjë shkon sipas planeve dhe pa zhurmë. Kam jetuar dhe do të vazhdoj të jetoj duke marrë frymë me futbollin dhe për futbollin.