Tirana dhe Gjergji Muzaka rinisin “luftën” në distancë për betejën ligjore, që sipas klubit bardheblu, ka shkuar në KAS-in e Lozanës, ndërsa nga ana tjetër, mesfushori i Skënderbeut konfirmon të kundërtën.
I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, Muzaka sqaroi se çështja e hapur nga klubi i Tiranës në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv është pushuar.
“Së pari, më duhet të saktësoj se këto janë çështje ligjore dhe është marrë avokati im. Megjithatë, ajo që mund t’ju konfirmoj është se na ka ardhur një ’email’, që njofton për pushimin e çështjes për shkak të mosrespektimit të afateve të pagesave ndaj KAS”, – deklaroi Muzaka për gazetën.
Dy ditë më parë u përhap lajmi se klubi bardheblu nuk e ka bërë pagesën në KAS, duke bërë që të përsëritet precedenti i Flamurtarit me ish-trajnerin Ernest Gjoka. Në një kohë që dy ditë më parë, zyra për shtyp e klubit nuk dha një reagim zyrtar, dje më në fund doli me një qëndrim në lidhje me çështjen “Muzaka”, të cilit Tirana i detyrohet 106 milionë lekë të vjetra.
REAGIMI I KLUBIT
Sipas klubit të Tiranës, çështja “Muzaka” do të shqyrtohet nga KAS-i i Lozanës gjatë muajit shtator. “KF Tirana dëshiron t’ju njoftoj se lajmet për gjyqin e anuluar në KAS të Lozanës janë të pavërteta. Klubi ka apeluar vendimin e Komisionit të Disiplinës në FSHF dhe pret të zhvillohet procesi gjyqësor në muajin shtator, sipas njoftimeve zyrtare nga KAS.
KF Tirana ju fton të konfirmoni lajmet nëpërmjet zyrës së shtypit, që mbetet gjithmonë në dispozicionin tuaj”, citohej ndër të tjera dje në komunikatën për shtyp të klubit. Në fakt, “Panorama Sport” ka kërkuar një informacion zyrtar nga klubi i Tiranës për çështjen “Muzaka”, por askush gjatë së premtes nuk ka reaguar.
Tashmë mbetet për t’u parë se kush ka të drejtë në këtë çështje: klubi që mohon anulimin e gjyqit në KAS apo vetë Muzaka që konfirmon se Gjykata e Arbitrazhit Sportiv e ka njoftuar për pushimin e çështjes.
VENDIMI I DHZK
Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF, mbi çështjen “Muzaka” ka vendosur:
1. Pranimin pjesërisht të kërkesës së paditësit Gjergji Muzaka.
2. Zgjidhjen e kontratës me ‘KF Tirana’ dhe lënien e lirë të lojtarit.
3. Detyrimin e ‘KF Tirana’, t’i paguajë paditësit shumën prej 10.697.000 lekësh.
4. Rrëzimin e pjesës tjetër të kërkesës.
5. Shpenzimet gjyqësore në shumën 100.000 lekë, i kalojnë ‘KF Tirana’”, shkruhej në njoftimin e FSHF-së gjashtë muaj më parë.