Mladen Milinkoviç ka marrë përsipër një mision të vështirë, të drejtojë Kukësin, dhe për më tepër të fitojë tri trofe, Superkupën e Shqipërisë, titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë.
Të paktën, këto ishin tre objektivat që shpalli dje presidenti i skuadrës, Safet Gjici, gjatë prezantimit të teknikut serb.
Në këtë mënyrë, Milinkoviç do të kërkojë të ketë në dispozicion lojtarët më të mirë për të realizuar synimet, kur dihet që vështirësia është e madhe përballë rivalëve si Partizani apo Skënderbeu.
Synimet- Sulmuesi Rexhinaldo është i pari në listë që kërkohet nga trajneri Milinkoviç për të veshur fanellën e Kukësit për sezonin e ri. Burimet bëjnë të ditur se kanë nisur negociatat me lojtarin dhe se shumë shpejt do të ketë një vendim.
Gjasat janë që ai të bëhet pjesë e skuadrës, pasi trajneri ka këmbëngulur që ta ketë në ekip. Një tjetër ish-lojtar i Luftëtarit synohet nga trajneri serb. Mbrojtësi Edy Bojom ishte vendimtar në paraqitjen e Luftëtarit në kampionatin e kaluar. Ai ra menjëherë në sy për forcën fizike dhe qetësinë në lojë. Milinkoviç e kërkon me ngulm edhe këtë lojtar si pjesë të Kukësit.
Këta dy futbollistë menaxhohen nga e njëjta kompani menaxhimi dhe pritet që të gjendet akordi për t’u bërë pjesë e skuadrës verilindore.
Për më tepër që lojtarët tashmë e njohin shumë mirë trajnerin dhe punën e tij. Milinkoviç synon që me Bojom dhe Shameti të krijojë një dyshe stabël e të pathyeshme në mbrojtje.
Në ditët në vazhdim do të zyrtarizohen edhe futbollistët që do të veshin fanellën e Kukësit për sezonin e ri. Dje nisi një epokë e re te Kukësi me zyrtarizimin e Milinkoviç në krye të skuadrës, shkruan “Panorama Sport”.
Ndërkaq, tekniku do të nisë menjëherë stërvitjen me ekipin ku do të njihet me lojtarët dhe më pas do të presë edhe afrimet që do të bëhen.