Gaz Demi sfidon Gjicin: Partizani kampion, por pa arbitra

30 Korrik 2017, 14:09Sport TEMA

Partizani dhe Kukësi do ta nisin sezonin 2017-2018 me staf të ri teknik. Ndryshimet te kampionët dhe nënkampionët erdhën pas dështimit në Kupat e Europës. Të dy klubet ua kanë besuar kullën drejtuesve me stafe të huaja, te Partizani bëjnë ligjin italianët, ndërsa te Kukësi janë serbët. Prezantimet e dy trajnerëve janë bërë shkak për fërkimet e para në distancë mes dy klubeve.

Shkak u bë ironia e djeshme, e përdoruar nga presidenti i Kukësit Safet Gjici, gjatë prezantimit të trajnerit Mladen Milinjkovic, një kandidat për stolin e “demave”, por që nuk u votëbesua nga Luçiano Moxhi.

Gjici, gjatë prezantimit të trajnerit, ngacmoi në distancë Partizanin duke bërë ironi me fjalën e presidentit Gaz Demi, i cili e quajti simpatik trajnerin e ri të skuadrës, Mark Juliano.

“Ne nuk jemi shumë simpatikë, por ne punojmë fort. Ne krenohemi me vepra, ato flasin vetë. Unë jam njeri i rezultateve. Kemi marrë për pesë vite tre trofe dhe kjo nuk është pak. Kush ka sy e veshë, e kupton që nuk është pak”, u shpreh dje Gjici.

Reagimi i Demit- Pas këtyre fjalëve të presidentit të Kukësit në prezantimin e trajnerit të ri, “Panorama Sport” kontaktoi me presidentin e Partizanit, Gaz Demi, për të marrë një reagim rreth fjalëve të homologut të tij.

Njëshi i të kuqve, si gjithnjë fjalëpak, por në prononcimin e shkurtër ka dhënë një përgjigje që mund t’i djegë shumë presidentit Gjici, i cili edhe dje u lavdërua për arritjet e klubit që drejton.

Demi, ndonëse nuk e tha në mënyrë direkte, la të kuptohet se Kukësi e ka fituar titullin kampion duke ndërhyrë në klubet e tjera,kjo mbase i referohet edhe videoskandalit të menaxherit Drini Çaushi me lojtarin e Partizanit, Emiljano Vila, si dhe me gjyqtarët.

Pyetja që gazeta i drejtoi dje presidentit të Partizanit, ishte kjo: “Presidenti Safet Gjici, në konferencën e prezantimit të trajnerit Milinkoviç, tha se “ne nuk jemi simpatikë, por punojmë fort dhe dalim kampion”. Duket si një ironi me thënien tuaj gjatë prezantimit te Iulianos. Keni ndonjë koment për këtë?”

Presidenti i të kuqve iu përgjigj kështu pyetjes së “Panorama Sport”: “Partizani, kur ta marrë titullin, do e marrë për merita e jo me ndërhyrje në ekipet e tjera dhe me arbitra. Ne do ta fitojmë titullin vetëm kur ta meritojmë, jo me metoda të tjera”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje