Donald Trump largon strategun e tij, pas përplasjeve të fundit

18 Gusht 2017, 19:35Bota TEMA

Presidenti Donald Trump ka vendosur që të shkarkojë Stephen Bannon, kryekëshilltarin e administratës së tij, i njohur edhe si truri i strategjisë së fushatës që e solli në krye të Shtëpisë së Bardhë në 2016.

Sipas asaj që raporton New York Times, vendimin për largimin e Bannon Presidenti Trump e ka diskutuar me dy bashkëpunëtorë të afërt.

Por, duke cituar burime të afërta me Stephen Bannon, New York Times thotë se vendimi për të lënë Shtëpinë e Bardhë kryekëshilltari e kishte marrë që më 7 gusht, kur i kishte dorëzuar dorëheqjen në tavolinë shefit të tij.

Sipas Bannon, dorëheqja duhej të njoftohej në fillim të kësaj jave, por u shty për shkak të protestave në Charlottesville.

Mediat amerikane thonë se Bannon prej muajsh ishte në një përplasje të hapur me këshilltarët e tjerë të Presidentit, madje edhe me anëtarë të familjes së tij.

Zoti Bannon që njihet për shpirtin e tij luftarak tha se ai është përplasur çdo ditë në Shtëpinë e Bardhë për të avancuar pikëpamjet e tij radikale lidhur me tregëtinë në kuadër të motos “Amerika e para”. Pikëpamje që kundërshtojnë ato të disa këshilltarëve të tjerë, të cilët tentojnë të favorizojnë përpjekjet ekzistuese që vënë theksin tek bashkëpunimi shumëkombësh tregtar.

Disa mbështetës të zotit Trump i kishin bërë thirrje atij që ta shkarkonte zotin Bannon.

Gjatë një konferencë shtypi mbajtur këtë javë, presidenti Trump e vlerësoi zotin Bannon si një “person të mirë” dhe jo-racist, por ai shtoi se “mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me të”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje