Trajneri i kombëtares, italiani Cristian Panucci, ka gati listën e lojtarëve për dy ndeshjet e radhës me Lihtejnshtejnin dhe Maqedoninë, listë që ka disa të reja në hyrje dhe në dalje.
Trajneri italian ka lënë jashtë mesfushorët Taulant Xhaka dhe Ergys Kaçe. Me të parin ka pasur polemika para pak kohësh, kur nuk u realizua takimi pas ndeshjes në Bazel, kurse lojtari i PAOK nuk ka një aktivizim të rregullt me këtë ekip. Janë të dy lojtarë “problematikë” në fakt.
Për lojtarët e afruar duhet thënë se janë dy mbrojtësit e krahëve, Hysen Memolla i Hajduk Split dhe Ivan Balliu i Metz, por edhe mesfushori Valon Ahmedi i Maribor. Tre lojtarë interesantë, që shtojnë konkurrencën.
Por ndeshjet e radhës ka shumë mundësi t’i humbasë sulmuesi Bekim Balaj, i cili ka një dëmtim në gju dhe është në fazën e riaftësimit, ndaj dhe nuk është aktivizuar në kampionat. Eshtë përmirësuar ndërkohë qjendja e mbrojtësit Mërgim Mavraj.