Pastrimi i parave, gjashtë emra politikanësh nën hetim nga Prokuroria

25 Gusht 2017, 08:41Politika TEMA

Me ashpërsimin e ligjit anti-mafia, konstituimin e organeve të Vetingut dhe miratimin e bazës ligjore për ngritjen e institucioneve që do të luftojnë korrupsionin elitar, institucionet ligjzbatuese konstatojnë një rritje të numrit të rasteve të dyshimta të pastrimit të parave.

Vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka rritur numrin e referimeve në Prokurori e Polici, konkretisht 178 raste të dyshimta për pastrim parash, nga të cilat për 31 raste, me vlerë 3.8 milionë euro.

Shqiptarja.com ka mësuar se, nga 178 raste, në gjashtëmujorin e parë të vitit, janë konstatuar gjashtë raste të pastrimit të parave, ku të përfshirë janë persona politikë, të cilët deklarojnë pasurinë dhe transaksionet pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Në përgjigje të interesimit të Shqiptarja.com, DPPPP bën me dije se, rastet në fjalë i ka referuar në Prokurori dhe Polici, për një hetim më të hollësishëm. “Gjatë këtij viti kemi dërguar 6 raste të dyshimta në institucionet ligj zbatuese në të cilat janë të përfshirë persona të ekspozuar politikisht.

Personat që kanë detyrim të bëjnë deklarim të pasurive dhe interesave në ILDKPKI në kuptim të ligjit 9917 datë 19.5.2008 ‘për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit’, i ndryshuar, përfshihen në kategorinë ‘personat e ekspozuar politikisht’ ndaj të cilëve subjektet e ligjit në marrëdhënien me ta si klient kanë detyrim specifik për të ushtruar vigjilencë të zgjeruar (neni 8) dhe rast pas rasti të kryejnë raportim për aktivitet të dyshimtë në DPPPP”, konfirmon për Shqiptarja.com Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Për rastet në fjalë vijojnë hetimet nga ana e Policisë dhe Prokurorisë.

Ndërkaq, tendenca e shtuar për pastrimin e parave të korrupsionit dhe krimit, mund të jetë një përpjekje e fundit e zyrtarëve për të shpëtuar nga veprimi i organeve të reja anti-korrupsion, konkretisht i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale.

Sipas DPPPP, në shumë raste transaksionet e dyshimta kryhen nga personat që kanë aktivitet biznesi. “Transaksionet në para fizike referuar akteve rregullative, përvojës dhe tipologjive vendase e ndërkombëtare, klasifikohen riskoze për rrjedhojë ndaj tyre ushtrohet vëmendje e monitorim i vazhdueshëm – poçes nga i cili dedektohen raste me anomali nga analiza e mëtejshme e të cilëve rast pas rasti referohen në institucionet ligj zbatuese Polici ose dhe Prokurori). Duke qenë se në shumë raste këto transaksione kryhen nga persona të cilët kanë edhe aktivitet biznesi, bashkëpunojmë edhe me organet tatimore për konkludim sa më efikas të rasteve”, thotë DPPPP.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje