Ai është një nga tre emrat e rinj që do të jenë në Kombëtare në grumbullimin e parë të Panuçit si trajner i përfaqësueses. Ivan Balliu, në një intervistë për “Panorama Sport”, tregon lidhjen e tij me Shqipërinë, por është i sinqertë kur shprehet se nuk e ka vizituar asnjëherë vendin tonë dhe se nuk di shumë as rreth qytetit të gjyshërve të tij.
Mbrojtësi i Metzit tregon për ftesën e Panuçit, ndjesinë për pjesëmarrjen në Kombëtare si dhe shpjegon bisedën me De Biazin dhe pse nuk u është bashkuar kuqezinjve, kur ish-trajneri e kontaktoi. Balliu është një mbrojtës i djathtë, por ai deklaron se është i vetëdijshëm për praninë e Hysajt, ndërkohë që prezantohet me cilësi të mira për të tentuar një vend në formacion.
Kush është Ivan Balliu? Mund të tregoni diçka për veten dhe lidhjen tuaj me Shqipërinë?
Jetoj në Francë momentalisht me bashkëshorten time. Të parët e mi janë nga Shqipëria. Gjyshërit nga ana e babait tim.
A keni qenë ndonjëherë këtu?
Të jem realist, jo. Nuk kam ardhur asnjëherë në Shqipëri dhe nuk kam shumë dijeni për vendin. I kemi humbur lidhjet me familjarët tanë prej kohësh.
Megjithatë, ftesa për në Kombëtare i ka entuziazmuar në familje. Ju vetë si u ndjetë?
Jam shumë i lumtur. Çdo futbollist ëndërron që të jetë pjesë e Kombëtares dhe për mua do të jetë një mundësi e madhe për të treguar vlerat e mija.
Megjithatë, në rolin tuaj Shqipëria ka një lojtar si Hysaj. E dini këtë gjë?
Po, e di. Detyra ime është që të jap maksimumin dhe më pas është trajneri që do të vendosë dhe do të bëjë zgjedhjet.
Çfarë cilësish keni në fushë?
Jam lojtar i shpejtë dhe që më pëlqen të shtyj përpara drejt fundores. Më pëlqen që jo vetëm të mbroj, por edhe të sulmoj. Gjithashtu, zotëroj edhe cilësi të mira teknike.
A keni marrë ftesë nga kombëtare të tjera?
Kur kam qenë i vogël, kam qenë pjesë e kombëtareve të moshave të Spanjës.
Më parë keni marrë edhe një ftesë nga De Biazi. Pse e refuzuat dhe si ju bindi Panuçi?
Dua të sqaroj diçka. Nuk e kam refuzuar De Biazin, por ka ndodhur një keqkuptim.
Çfarë doni të thoni?
Ai më shkroi në “Facebook” dhe unë kur e kam parë, kam menduar se është një profil fals dhe që nuk do të ishte trajneri i Kombëtares që po më kontaktonte. Kur unë e konfirmova që ishte realisht De Biazi, ishte shumë vonë.
Si ishte kontakti me Panuçin, si ju bindi?
Nuk kam komunikuar ende më të. Di që ka qenë në Metz për të më ndjekur në stadium dhe kjo më gëzon shumë.
A keni ndjekur ndonjë ndeshje të Shqipërisë?
Po, kam ndjekur ndeshjen kundër Spanjës.
Keni luajtur edhe te “La Masia”. Çfarë ndryshimesh nga ajo lojë hasni në kampionatin francez?
Është krejtësisht ndryshe. Në Francë është futboll fizik dhe ka shumë kontakte force dhe fizike në fushën e lojës.
Keni ruajtur miqësi me ndonjë lojtar të Barcelonës?
Serxhi Roberton e kam mik të ngushtë.
Si është përditshmëria juaj?
Në mëngjes kam stërvitje, më pas ha drekën në shtëpi dhe pushoj pak. Fle gjumë, ose thjeshtë qetësohem. Më pas, dita mbyllet me një seancë në palestër.