Liderët rajonalë u mblodhën sërish, pas Podgoricës dhe Triestes, këtë herë në Durrës, në kompleksin e vilave qeveritare, në një takim informal, për të diskutuar për çështjet më me interes për thellimin e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, tregtinë shërbimet dhe ekonomia dixhitale.
I Zoti i shtëpisë, kryeministri Rama priti delegacionet e vendeve të Ballkanit, homologun e Malit të Zi Dushko Markoviç, kryeministri në detyrë i Kosovës Isa Mustafa, kreun e qeverisë së Maqedonisë, Zoran Zaev, homologen serbe Ana Brnabiç, kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiç, komisionerin Johhanes Hahn si dhe zv.presidentin e Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore Cyril Muller.
Zyrtari i lartë ishte i vetmi që në kompleksin qeveritar në Durrës mbërriti me kollare, ndryshe nga ky pjesëmarrësit e tjerë në të, në këtë takim jo formal por në foton familjare, disa minuta pas mbërritjes, edhe Muller u shfaq në krah të krerëve të qeverive pa kollare.
Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor kanë diskutuar për një angazhim maksimal në nivel të lartë në drejtim të zbatimit të Planit Shumëvjeçar për Zonën Ekonomike Rajonale, për të cilën liderët u dakordësuan 6 javë më parë në samitin e Triestes, për rezultatet e deritanishme të procesit të Berlinit dhe perspektivat e ardhshme të bashkëpunimit rajonal.
Prioritetet për Ballkanin Perëndimor komisioneri Johhanes Hahn nxitoi t’i përshkruajë edhe përmes një statusi në Twitter, shoqëruar me foton familjare të këtij takimi. Politika lokale është çelësi i suksesit të bashkëpunimit rajonal, integrimi ekonomik rajonal nuk është një alternativë për hyrjen në BE, por është një plotësues i dobishëm. Sipas Hahn, tani prioritet kyç është ndërtimi i një zone ekonomike rajonale, për të nxitur rritjen ekonomike dhe punësimin e qytetarëve.
Në deklaratën e përbashkët me komisionarin Johhanes Hahn, kryeministri Rama u shpreh se ekziston një plan veprimi me 115 pika në funksion të një transformimi rrënjësor. “Është e qartë tanimë që kemi një plan veprimi me 115 pika në funksion të një transformimi rrënjësor në kuadrin e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, kapitalit, punonjësve të kualifikuar që ta bëjë rajonin shumë më tërheqës. Për ta mbyllur me këtë pjesë jemi vërtetë shumë të inkurajuar nga fakti që në nivelin politik ka një dakordësi të plotë”, tha kryeministri.
Rama u shpreh se përpjekja e Shqipërisë në bashkëpunim me BE për zvogëlimin e azilkërkuesve shqiptarë në vendet e BE janë duke dhënë sukses, ndërsa shtoi se refuzon ta pranojë shënjestrimin e veprimtarisë kriminale të disa shqiptarëve si në një arsye për të treguar me gisht Shqipërinë.
“Është e qartë që nuk ka shqiptarë azilkërkues, nuk ka shqiptarë të një pune apo të një jetë më të mirë, kur shqiptarët nuk e kanë lirinë për të lëvizur. Unë refuzoj ta pranoj shënjestrimin e shqiptarëve, azilkërkues apo ata që kryejnë krime si një arsye për të treguar me gisht Shqipërinë. Kriminelët duhet të përgjigjen para ligjin, por nuk ka flamur e kombësi dhe thjesht duhet të përgjigjen para ligjit dhe nuk mund të tregohet me gisht si krim shqiptar apo ballkanik. Ajo që na takon është që të përshpejtojmë procesin e integrimit dhe të kemi sa më shumë akses në tregun e punës. Ndamë idenë se në luftën ndaj kanabisit po bëhet një punë fantastike. Sot jemi me rezultate të monitorimit ndërkombëtar që tregojnë se zotimi është duke u përmbushur dhe në fund të këtij sezoni mbjelljesh, korrjesh dhe goditjesh, Shqipëria do të dalë përfundimisht nga harta e vendeve problematike të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike”, tha Rama në fjalën e tij.
Ndërkohë, Johhanes Hahn tha se u ra dakord për pikat e planit, ndërsa e konsideroi këtë si shenjë e mirë për zbatimin e tyre.
“Ju falënderoj për këtë nismë, për këtë takim, në këtë vend kaq të mrekullueshëm për të disktuar vijimësinë e Triestes. Është dhënë angazhimi, ka një zotërim, shefat e shteteve i kanë dalë për zotë këtij procesi, i ashtuquajtur i Berlinit. Më shumë nisma vijnë nga rajoni dhe ne na mbetet të ju mbështesim dhe të bashkëpunojmë me ju për të ecur përpara për sa i takon aspiratave tuaja evropiane. U ra dakord për pikat e planit, shenjë e mirë kjo për zbatimin e tyre. Jam mirënjohës për zotimet dhe frymën që keni ndërmarrë. Kjo vlen për qytetarët tuaj, por edhe për marrëdhëniet dypalëshe”, tha Hahn.
Ai vlerësoi mbarëvajtjen e zgjedhjeve në vendin tonë dhe tha se tashmë pret Vettingun, pasi tashmë nuk ka më asnjë justifikim. “Zgjedhjet e drejta dhe transparente kanë qenë një kusht për të ecur përpara. Tani nuk ka më asnjë justifikim që mund të përdoret. Tani mund të shkojmë drejt zbatimit dhe tani do të shohim rezultatet e para konkrete te Vettingut. Është e kotë që të shkoni në vendet e BE për të kërkuar azil, pasi dëmtoni veten, por edhe vendin tuaj”, tha Hahn.
Bixhoz pa pare
ose si kopesht pa dreke
sot ky takim.