Trajneri Kristian Panuçi ka dalë pak minuta më parë në konferencë për shtyp në vigjilje të ndeshjes kundër Maqedonisë, e cila do të luhet nesër në 20:45 në Strumica.
“Kemi luajtur pak ditë më parë kundër Lihtenshtejnit dhe mendoj se do të ketë kohë për të rikuperuar. Ashtu si edhe Maqedonia që luajti kundër Izraelit, edhe ne kemi pasur ndeshjen tonë. Në këtë pikë jemi të dy skuadrat në të njëjtat kushte.
Jam i bindur se skuadra do të jetë rikuperuar, sepse lojtarët janë mësuar të luajnë ndeshje brenda pak ditësh.
Sadiku është gati. Në fakt kam të gjithë lojtarët në dispozicion. Por, vetëm nesër do të shihni se cilët lojtarë do të jenë në formacion.
Ne kemi ardhur në Maqedoni për të fituar takimin. Më pas do të shohim si do të shkojë ndeshja. Nuk firmosim për barazim. Jemi këtu për të luajtur me kurajë të madhe dhe me respekt të lartë për kombëtaren e Maqedonisë. Jemi të vetëdijshëm për forcën e kundërshtarit, ashtu sikurse edhe për forcën e skuadrës sonë.
Nëse ndaj Maqedonisë do të luajmë ashtu si ndaj Lihtenshejnit në 30 minutat e para, sigurisht që do të vuajmë shumë. Duhet të tregojmë grintë dhe me përqendrim maksimal që nga fillimi deri në fund të takimit.
Për sa i përket stadiumit është vërtetë i vogël në kapacitet, por me një terren të përshtatshëm për të luajtur futboll. Pandev? Është një lojtar me eksperiencë dhe me kualitet të lartë, por nuk do të ketë ndonjë mbrojtje speciale ndaj tij“, tha trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Kristian Panuçi para gazetarëve.