Presidenti amerikan, Donald Trump, ka dhënë një përgjigje tensionuese në lidhje me përgjigjen që do të japin SHBA ndaj testit të fundit nuklear të Koresë së Veriut.
“Do ta shohim!”, është përgjigjur ai i pyetur nga një gazetar nëse SHBA do të sulmonin Korenë e Veriut. Mesazhet e tij në “Twitter” ishin edhe më dramatike.
Ai ka shkruar se dialogu nuk po funksionon me Korenë e Veriut, duke lënë përshtypjen se tashmë po favorizon opsionin ushtarak.
Sipas Presidentit Trump, veprime ekonomike dhe ushtarake mund të jenë në pritje për Korenë e Veriut, pas shpërthimit të një bombe bërthamore prej 100 kilotonësh. Presidenti nuk dha përgjigje të qartë ndaj dyshimeve se Amerika është duke u përgatitur për ndërhyrje ushtarake, kur po largohej nga kisha të dielën në mëngjes.
Koreja e Veriut u përgjigj duke bërë një paralajmërim të ashpër për një “goditje të mprehtë, ultra moderne”. “Nëse imperialistët amerikanë provokojnë Republikën Demokratike Popullore të Koresë, ata nuk do të mund të shpëtojnë nga fatkeqësia më e madhe.
Mos harroni asnjë moment që goditja ultra moderne e mprehtë do të thotë se synojmë SHBA. Ky është një paralajmërim i ashpër i Koresë Songun”. Songun është termi që përdoret për të përshkruar politikën e parë ushtarake të vendit.
REAGIMI USHTARAK I JUGUT Ndërsa Koreja e Jugut tha se zyrtarët e saj kanë rënë dakord të bëjnë një reagim ushtarak ndaj shpërthimit të bombës, që ndodhi pak pas mesnatës të së dielës me kohën lokale. Ata do të reagojnë “sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Në një telefonatë mëngjesin e së dielës, gjenerali Joseph Dunford, kreu i Shefave të Përbashkët të Shtabit në SHBA, premtoi mbështetjen dhe bashkëpunimin me homologun e tij të Koresë së Jugut, gjeneralin Jeong Kyeongdoo, sipas agjencisë koreanojugore “Yonhap”.
TËRMETI NGA BOMBA E TESTUAR Bomba me hidrogjen, e cila është mjaftueshëm e fuqishme për të shkatërruar një qytet të tërë, nxiti një tërmet të fuqishëm me magnitudë 6.3 ballë. Lëkundjet e forta u ndjenë në verilindje të vendit ku ndodhet zona e testimit, “Punggye-ri”, por ishte aq i fortë sa që tronditi ndërtesa edhe në Kinë e Rusi.
Fuqia e bombës prej 100 kilotonësh, rreth pesë herë më e madhe se ajo e rënë në Nagasaki, nuk është i vetmi kërcënim me të cilin ballafaqohet SHBA.
Sakaq, lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka një djalë “sekret”, që është trashëgimtar i regjimit të tij brutal.
Diktatori ka tre fëmijë me gruan e tij Ri Sol-Ju, por gjinia e fëmijës së parë të çiftit, që ka lindur në vitin 2010, nuk është zbuluar asnjëherë. Ishte zbuluar pak kohë më parë se Sol-Ju kishte lindur një vajzë, gjashtë muaj më parë.
Zonja e parë ishte zhdukur nga syri i publikut për një periudhë të gjatë kohe vitin e kaluar, duke ngritur spekulime se mund të ishte shtatzënë.
Sipas raportimeve të mëparshme të inteligjencës nga agjencia e spiunazhit në Seul, Korenë e Jugut, Ri u martua me Kim Jong-un në vitin 2009 dhe lindi fëmijën e tyre të parë vitin e ardhshëm. I dyti ka lindur në vitin 2013.
Kim është gjenerata e tretë e dinastisë së tij që qeveris Korenë e Veriut, por ka pak informacione për familjen e parë të vendit komunist.