Pak orë përpara seancës së parë të ditës së shtunë, dy partitë e mëdha në Kuvend, PD dhe PS, kanë lajmëruar mbledhjet e para të grupeve parlamentare.
Partia Socialiste ka vendosur orën 12 si orarin e mbledhjes së grupit, ndërsa kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vendosur ta thërrasë këtë mbledhje në orën 18:00.
Të shtunën më 9 shtator nis legjislatura e 9 e Kuvendit të Shqipërisë e dalë pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Seanca e parë do të mbahet më datën 9 shtator, ora 10:00.
Direkt pas mbledhjes, Kuvendi do të zgjedhë Këshillin e Përkohshëm të Verifikimit të Mandateve i cili përbëhet nga 9 deputetë që do të shqyrtojnë dokumentacionin e çdo deputeti.
Deputetët që do të përbëjnë Këshillin e Përkohshëm të Verifikimit të Mandateve propozohen nga grupet parlamentare dhe zgjidhen me 71 vota.
Brenda dy ditësh, Këshilli duhet të dorëzojë në Kuvend raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve.
Mësohet se ky këshill do e bëjë këtë raport brenda ditës së shtunë dhe më pas në po këtë ditë në orën 18:00, seanca parlamentar do të mblidhet sërish që deputetët e rinj të bëjnë betimin e tyre.
Në seancën e pasdites do të zgjidhet edhe kreu i ri i Kuvendit, ku deri tani ka vetëm një propozim dhe ai është Gramoz Ruçi. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit bëhet pa debat.