Asgjë s’ka ndodhur në PD, gjithmonë janë shitur dhe blerë deputetë

11 Shtator 2017, 12:05Blog TEMA

Nga Ervis Iljazaj

Ashtu siç pritej, seanca e parë parlamentare ka shkaktuar një zhurmë mediatike dhe politike më shumë se sa duhet për një ditë të zakonshme politike, që prezupozohet të jetë thjesht ceremoniale.

Këtë klimë të acaruar politike që shoqëroi ndërtimin e  Parlamentit të ri, Partia Demokratike e kishte përgatitur ditë më parë, duke kontestuar fuqishëm  dhe lajmëruar protesta për zgjedhjen e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit të Shqipërisë.

Mirëpo,  dy ditë më vonë , e gjithë vëmendja e opinionit publik është fokusuar brenda Partisë Demokratike, për shkak se dy prej deputetëve të saj, votuan pro zgjedhjes së Gramoz Ruçit si Kryetar Kuvendi.

Edhe sikur të ishte një strategji komunikimi e përgatitur nga Partia Socialiste,  spostimi  i vëmendjes nga emri Ruçit te dy votat  që rrodhën nga grupi parlamentarë i PD-së, nuk do të kishin mbetur kaq të kënaqur me atë që ndodhi pas atij votimi.

Partia Demokratike dështoi politikisht  në kauzën e saj për të kontestuar  kandidaturën e Gramoz Rucit, pasi vendin e saj e mori gjuetia për të gjetur me çdo kusht dy emrat, të cilët votuan ndryshe nga  grupi parlamentarë i PD-së.

Aq e vërtet është kjo, sa që, një ditë më vonë , të gjitha mediat pasqyruan vetëm debatet brenda Partisë Demokratike dhe, protesta politike u harruar menjëherë.

Në këtë spostim të vëmendjes, nga objektivi i  vërtet i Partisë Demokratike, që ishte protesta kundër zgjedhjes së Gramoz Ruçit  te debatet e brendshme, padyshim patën një rol të rëndësishëm dhe kritikët e Lulzim Bashës.

Në  pritje të hapit të tij të parë fals pas rizgjedhjes në krye të Partisë Demokratike, vërshuan me një lum kritikash kundër tij, deri te kërkimi i dorëheqjes, apo te akuzat e paaftësisë për të mbajtur grupin parlamentarë nën kontroll.

Të gjykosh drejtim e një partie politike nga një fakt i tillë, është absurde  dhe s’ka asnjë logjikë politike. Në politikën shqiptare, gjithmonë ka patur shitje dhe blerje deputetësh. Në këtë kuptim ky nuk është një barometër për të matur punën e kryetarit të partisë. Kjo ka ndodhur me Berishën, Nanon, Ramën dhe më këdo që ka qenë në krye të një partie politike, aq më tepër që, rrjedhja e votave nuk është fenomen i politikës shqiptare. Vota e deputetëve kundër linjës së partisë së tyre ndodh kudo në politikën europiane dhe përtej saj.

Po të shtojmë këtu që, rrjedhja e dy votave të  deputetëve të Partisë Demokratike ndodhi në një votim sekret, i gjithë debati nuk ka një vlerë politike, apo të jetë tregues i aftësisë apo i paaftësisë të një kryetari partie. Votimet sekrete, që aplikohen në të gjitha vendet  europiane, në shumicën e rasteve kur ka të bëjë me votë për një person, siç ishte rasti i Ruçit, është votë ndërgjegjeje.

Logjika e votimit sekret është pikërisht kjo. Kur votohet për një person , si zgjedhja e Kryetarit të Kuvendi, Presidentit të Republikës, apo në rastet kur Parlamenti jep miratimin e tij për dënimin e një deputeti me burg, çdo deputet voton në mënyrë sekrete, duke i bërë thirrje ndërgjegjes së tij dhe, jo medoemos vota e tij është pro linjës së partisë që i përket. Ky është ndryshimi midis votës së hapur dhe asaj sekrete. Në votimin e hapur deputetët kanë përgjegjësi politike në raport me partinë dhe më votuesit. Ndërsa, në atë sekret kanë vetëm përgjegjësi kundrejt ndërgjegjes së tyre.

Kryetari i partisë nuk ka asnjë fuqi të kontrollojë ndërgjegjen e çdo deputeti. Andaj, dramaticiteti që u krijuar me rrjedhjen e dy votave nga Partia Demokratike, është një fortunë e ngritur në gotë. Asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur politikisht. Përkundrazi, votimi i Partisë Demokratike ishte më kompakt seç pritej, duke parë kontekstin.

2 komente në “Asgjë s’ka ndodhur në PD, gjithmonë janë shitur dhe blerë deputetë”

  1. Shaba says:

    Per mua: Bota e ka gabim qe krijon grupe polittike ne kuvend, ku deputeti duhet te veproje i pavarur per tu udhehequr nga kushtetuta konforme statutit te Partise. Pas mandatit, t’i raportje Partise per veprimtarine si deputet dhe t’i nenshtrohet vulletit te saj. Keshtu do te ishte reale demokracia. Ndryshe kuvedi fuksionon me dy-tri vota te krereve te gruppeve politike.

  2. Kot Fare says:

    O toc kuklle,
    Ne te gjitha rastet qe ka ndodhur, ky ka qene absolutisht barometer per te treguar situaten brenda forces politike.
    Po u moren me kete lloj lehtesie, keto veprime ne diten zero te sesionit parlamentar, nuk e di cfare mund te thuhet ne fund te tij.
    Vetebesimi se mund te mbrosh cdo argument, pavaresisht nga mjetet ka dy shpjegime:
    Vleresimi per veten eshte shume i larte ne perdorimin e penes (apo lapsit)
    Mendon qe gjithe te tjeret jane idiote ne po ate mase qe ti perdor per shpjegimin e pare
    Ne turravrapin per te ndihmuar Lulin (Henrin), behesh lehtesisht i padurueshem dhe qesharak.
    Gati-gati i jap te drejte Artan Fuges

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje