Kryeministri Edi Rama në fjalimin e tij në parlament, ka komentuar edhe debatin e shpërthyer ditë më parë, mbi figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut.
“Vetë gjuha jonë sot, gjuha shqipe, gjuha e unifikuar shqipe është e kërcënuar, ca nga inercia e boshllëkut të shumë viteve tranzicion ku shkolla e humbi misionin dhe funksionin e saj, ca nga çorodia vlerore e pjellë prej tranzicionit, e cila vazhdon sot e tërë ditën të shfaqet në ca forma shqetësuese marrëzie siç qe së fundimi ajo që përfshiu edhe vetëm heroin tonë kombëtar Skënderbeun.
Njerëz, që për hir të vërtetës nuk mund të maten as me zgjatimin e fundbarkut të kalit të Gjergjit, mbinë nga dheu nëpër ekrane, portale dhe ballina, për t’i bërë karshillek historisë së tij, historisë sonë.
Aq sa qesharak në marrëzinë e vet, ai episod kërkon analizë, reflektim, reagim, aspak për t’u marrë me perden që në fakt nuk e mbuloi monumentin, por me çka u shfaq duke e përdorur atë perde të montuar mediatikisht si embrioni i një krimbi kërcënues, për një ndër kolonat më të rënda mbajtëse të shtëpisë sonë, harmonisë fetare dhe përkatësisë europiane të shqiptarëve,” tha Rama.
Rama nga foltorja e Kuvendit u ndal edhe në disa çështje që kanë të bëjnë me vendet tonë fqinje.
Për Kosovën, Rama tha se nga 1 janari i vitit 2018 shpreson që kufiri me Kosovën të jetë një kufi europian, pa radhë dhe pa kontrolle policore.
Rama tha gjithashtu, se Shqipëria ka gati projektin e bashkimit doganor me Kosovën, ndërsa pret vetëm “OK” e qeverisë së shtetit tjetër shqiptar.
“I uroj kryeministrit Haradinaj urtësi, fuqi dhe shëndet në të mirë të Kosovës. Uroj që të biem dakord për kthimin e kufirit tokësor mes dy shteteve në një kufi europian pa radha kilometrike dhe kontrolle të tepërta policore, mundësisht qysh prej 1 janarit 2018. Ne jemi gati, shpresoj që dhe Kosova të jetë gati.
Gjithashtu uroj që bashkimin doganor të Shqipërisë me Kosovën ta bëjmë fakt të kryer një orë e më parë duke i kthyer doganat në portin e Shqipërisë në dogana dhe të Kosovës. Projekti është gati, i dakordësuar mes dy palëve. Miratimi nga ana jonë është gati, presim vetëm miratimin e qeverisë së Kosovës,” tha Rama.
Kush e pengoi bashkimin doganor me Kosoven per 4 vitet e shkuara?