Dy transferta të vështira në veri të Europës nga të cilat Shqipëria e 21-vjeçarëve u kthye me tre pikë të arta. Një humbje në sekondat e fundit në Irlandë por edhe një fitore spektakolare në Islandë. Kuqezinjtë e vegjël kanë hedhur kandidaturën për vendin e dytë të grupit 2 eliminator të Europianit dhe trajneri Alban Bushi e pranon se me 3 pikë në dy ndeshje skuadra i ka plotësuar pritshmëritë e tij.
“Ishin dy ndeshjet e para jashte dhe isha ne merak si do të reagonim, por reaguam shume mire. Nuk duhej te ishim mundur ndeshjen e pare por tre pike ne dy ndeshje më kenaqin. Në Islandë dominuam gjithë ndeshjen. Ekipi ka forcë dhe lojtarë kandidatë për ekipin e parë A”.
Timonieri i 21-vjeçarëve shton se skuadra që ia ka në dispozicion ka një të ardhme të madhe përpara pasi ka nisur të luajë me topin në tokë duke zhvilluar ndeshje shumë të bukura. Në vijim, ai përqëndrohet edhe te objektivat e kësaj faze eliminatore.
“Ne nuk pretendojmë vendin e parë por synojmë fitore në çdo ndeshje. Nuk duhet të shikojmë shumë larg por të mendojmë për ndeshjen e radhës. Kemi lojtarë më të vegjël se kundërshtarët dhe mendoj se do të jenë më të rritur edhe sezonin e ardhshëm. Duhet t’i mbaj lojtarët të karikuar në mënyrë që të mos gabojmë siç bëmë në Irlandë. Spanja është një kundërshtar i fortë por diferencat janë të vogla. Nuk mendojmë për Spanjën sepse në 10 Tetor presim Islandën në Tiranë. Ndaj Islandës dhe Irlandës janë ndeshje vendimtare për të na treguar nëse do të kapim vendin e dytë ose jo. Kërkojmë mbështetjen e publikut për t’ia dalë mbanë”.
Bushi zbulon më pas disa emra interesantë që brenda një kohe të shkurtër mund t’i shikojmë nën urdhrat e Panuccit dhe nënvizon se nëse një gjë e tillë ndodh, skuadra e tij nuk do t’i vuajë largimet.
“Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Panuccin. Kemi shumë lojtarë të mirë dhe edhe nëse na ikin një apo dy nuk do ta kemi problem”.