Luçiano Moxhi e ka nisur me dorë “të hekurt” mbretërimin te Partizani, ku që në start “kurban” është bërë kapiteni Alban Hoxha.
Aktivizimi i Dashamir Xhikës i ka gjetur të befasuar të gjithë të pranishmit në ndeshjen e djeshme, por më pas është mësuar edhe shkau i uljes në stol të portierit Hoxha.
Trajneri Iuliano dhe pjesëtarët e tjerë të stafit mungesën e Hoxhës e motivuan si vendim të klubit, por përgjegjësi numër një i Partizanit të këtij sezoni, Luçiano Moxhi, pas ndeshjes ka sqaruar arsyet e pezullimit të Hoxhës.
Shkak është bërë kthimi me vonesë nga grumbullimi me Kombëtaren, si dhe largimi pa leje nga grumbullimi.
Përveç uljes në stol në ndeshjen e djeshme, Hoxha pritet të përballet edhe me një ndëshkim financiar nga ana e klubit.
Moxhi, në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, pohoi se klubi ka rregulla dhe se askush nuk mund t’i shkelë ato. Ai pohoi se pranon më mirë një humbje se prishje të disiplinës së ekipit.
“Në një klub futbolli ka rregulla që janë për t’u respektuar dhe të gjithë duhet t’i respektojnë. Hoxha, pas kthimit nga Kombëtarja, duhej të kthehej në mëngjes, ndërsa ai nuk ishte i pranishëm në stërvitje. Mbrëmë (të shtunën) ka lënë grumbullimin pa lajmëruar askënd dhe u paraqit paradite në hotel. Ne preferuam të marrim përsipër edhe riskun, pasi më mirë të humbasësh një ndeshje dhe t’u përmbahesh rregullave. E rëndësishme është që të ndjekim rregullat e klubit.
Kohëzgjatja e dënimit? Ndëshkimi mbaroi me ndeshjen e sotme, pasi qëndroi në pankinë. Sigurisht që do të ketë edhe masa financiare dhe tashmë shpresojmë ta ketë kuptuar se gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin në klubin tonë. Më vjen keq, pasi nuk e prisja një sjellje të tillë nga Hoxha. Nuk preferoj që të bëj kritika. Nëse Albani e ka kuptuar mësimin, mbyllet këtu. Ishte një vendim që ta kuptonte i gjithë grupi se rregullat duhet të zbatohen.
Shiriti? Nuk është koha për të folur tani për këtë. Personalisht preferoj më mirë të humbas një ndeshje, sesa të prish disiplinën dhe rregullat e grupit”, u shpreh fillimisht Luçiano Moxhi. Portieri Alban Hoxha nuk preferoi të flasë për mediat pas ndeshjes, por menjëherë u ngjit në autobus.
NDESHJA DHE AFRIMET
Moxhi, në prononcimin pas ndeshjes për gazetën, ka folur edhe për ndeshjen ndaj Laçit dhe afrimet e merkatos. Ish-drejtori juventin nuk e bën dramë, por pret që ajo që ndodhi ndaj Laçit të bëhet mësim.
“Nuk dua të kritikoj asnjë, pasi është ndeshja e parë. Skuadra e dominoi sfidën. Ne i pësuam golat nga gabime tonat, dy raste që pati kundërshtari me kundërsulm. Këto nuk erdhën nga mungesa e titullarëve të sezonit të shkuar, por gabime të momentit. Nuk duhet të ligështohemi, por të shohim përpara se kemi shumë ndeshje.
Adorjan luajti mirë, si dhe afrimet e tjera, por na mungon edhe Çani, i cili është shumë i rëndësishëm për ne. Nuk ka ndodhur asgjë në këtë takim hapës. Më mirë që ndodhi tani, pasi kemi kohë për të nxjerrë mësime dhe për ta kuptuar se çfarë duhet të bëjmë”, përfundoi “Big Luçiano”.