Prodhuesit shqiptare të grupuar së fundmi në një shoqatë i kanë kërkuar qeverisë Rama 2 që të marrë në konsideratë disa masa që do të lehtësonin klimën e biznesit në sektorin prodhues.
Në një deklaratë të hapur për median ata kanë bërë disa rekomandime se ku duhet të fokusohen politikat e qeverisë për biznesin prodhues.
Së pari kërkohet përmirësimi i kuadrit ligjor dhe garantimi i sigurisë ligjore, nëpërmjet:
– Respektimit rigoroz të ligjit për konsultimin publik duke bërë ndërhyrje në legjislacionin aktual për penalizmin individual të çdo zyrtari publik që nuk e zbaton këtë ligj;
– Përfshirjes së Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë këshillat/komitetet konsultative për legjislacionin që prek ekonominë;
– Përfshirjes së Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë në tryezat permanente dhe periodike të organizuara nga Ministri për mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe Ministrive të tjera të linjës sipas sektorëve;
– Përfshirjen e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë në procesin e negocimit me BE.
Së dyti kërkojnë përmirësim e procesit të inspektimit, nëpërmjet:
– Shtrirjes së inspektimit “online” në të gjithë fushat e inspektimit, si një skemë që mbështet prodhuesit e formalizuar dhe lufton informalitetin;
– Përballimit të tarifave të analizave laboratorike të kërkuara në procesin e inspektimit nga buxheti i shtetit;
– Rishikimit dhe lehtësimit të procedurave për kontrollet dhe vetëkontrollet ndaj sipërmarrjes prodhuese;
– Rregullimit të mbivendosjes së kompetencave të inspektimeve të ndryshme pasi shpesh ka mbivendosje në fushat e kontrollit;
– Heqjes së tarifës së skanimit në dogana pasi bie në kundërshtim me legjislacionin për inspektimin.
Së treti kërkojne përmirësimi i legjislacionit të punës nëpërmjet:
– Rishikimit të gjobave ndaj bizneseve pasi aktualisht vlerat e tyre variojnë nga 20 – 50 rroga duke i vënë bizneset në një presion të papërballueshëm;
– Rritjes së fleksibilitetit në marrëdhëniet e punës për sa i përket orareve dhe kompensimit të orëve jashtë orarit.
-Rishikimit dhe unifikimit të procedurave doganore dhe tatimore për sa i përket penaliteteve dhe të drejtës së ankimimit.
Blloku i dytë i kërkesave ka të bëjë me ndërmarrjen e politikave që do të rrisnin aftësinë konkuruesë në vend nëpërmjet:
– Heqjes së taksave doganore për artikujt që janë lënde e parë për industrinë prodhuese;
– Heqjes së disa taksave dhe tatimeve të panevojshme të mbetura në sistem pa asnjë vlerë për buxhetin e shtetit, por duke krijuar vështirësi për sipërmarrjen (Taksa e amballazhit);
– Heqjes së akcizave për lëndët e para djegëse për industrinë prodhuese;
– Reduktimit të taksës mbi artikullin me kod 39235010 (Tapa dhe pipeta për prodhimin e shisheve plastike). Kjo tarifë arrin në 50 % të çmimit të blerjes së këtij artikulli ndërkohë kur në vendet e rajonit është 0 ÷ 6 % (Greqi 0 %, Kosovë 0 %, Mali i zi 3 %, Maqedonia 6 %, Bullgari 0 %). Kjo taksë, që i vë në vështirësi të gjitha industritë vendase, propozojmë të ulet nga 100 lekë / kg në 10 lekë / kg dhe të shtrihet, pa përjashtim, në të gjithë produktet dhe ambalazhet plastike.
– Rishikimit të legjislacionit për rimbursimit të TVSH dhe Akcizës duke hequr kushtëzimin e rimbursimit me kontrollin e detyrueshëm ndaj subjekteve dhe duke përcaktuar sanksione ndaj administratës shtetërore për vonesa në rimbursim;
– Rishikimit në ulje të nivelit të taksave lokale duke patur në kosideratë që shpesh herë taksat e përkohshme kthehen në të përhershme pa një afat të përcaktuar duke tejkaluar të drejtat ligjore;
– Rishikimit në ulje të nivelit të taksës së pasurisë mbi ndërtesat e industrive prodhuese deri në masen 50 lek/m2;
– Heqjes së plotë të TVSH në import për makineritë/pajisjet për prodhuesit vendas;
– Mbështetjes shtetërore dëri në masën 50 % për pagesat e sigurimeve shoqërore për vendet e reja të punës (për një afat 6 mujor) në ndihmë të industrive prodhuese;
– Uljes së çmimit për energjinë elektrike për sipërmarrjen prodhuese duke ju referuar vendeve të rajonit (meqenëse pretendohet të punojmë në një treg të liberalizuar i energjisë elektrike të rishikohen tarifat e trasmetimit me objektivin që të mos kalojnë tarifat e rajonit);
– Rritjes së investimeve për përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike për sipërmarrjen prodhuese;
– Lehtësimit të procedurave doganore dhe kufitare duke rritur fleksibilitetin në orare dhe duke shpejtuar kohët e kontrollit;
– Rishikimit të tarifave për shërbimet portuale;
– Rritjes së mundësisë për sipërmarrjen prodhuese për aksesin në financime në një treg financiar të diversifikuar;
– Rinovimit të Parkut të Mekanikës Bujqësore dhe shtimi i linjave të përpunimit të lëndëve të para në vend, me qëllim rritjen e performancës dhe nivelit të prodhimit kombëtar në zonat rurale, që të jetë sa më konform normave dhe standarteve komerciale rajonale e evropiane.
– Reduktimit të kostove energjetike, nëpërmjet zëvendësimit të karburantit të importuar me karburant të prodhuar dhe përpunuar në vend, program i hartuar që mund të zbatohet pa asnjë kosto shtesë për buxhetin e shtetit.
– Uljes së moderuar e nivelit të TVSH dhe përshkallëzimin në zbritje për disa sektorë specifik dhe barazimin e TVSH-së së ushqimeve me ato të nivelit rajonal dhe evropian.
Prodhuesit gjithashtu kërkojnë uljen e informalitetit nëpërmjet futjes së TVSH-së në tregun e shitjes në pakicë;
– Riorganizimi i strukturave tatimore dhe doganore për mundësuar luftën ndaj informalitetit;
– Shtrirja e inspektimit edhe të subjektet informale;
– Rishikimi i legjislacionit për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, duke formalizuar dhe përsosur më tej strukturën e tyre organizative, në nivel lokal dhe kombëtar.
– Hartimi dhe implementimi i regjistrit elektronik të fermës, kartës elektronike të fermerit, si dhe krijimi i Qendrës Kombëtare të Agrobiznesit.(monitor)
Keni kerku shume nuk po fitoni asgja