Ka nisur në Kuvendin e Shqipërisë seanca e shtyrë nga dita e djeshme pas debateve të forta dhe përjashtimit të Flamur Nokës. Seanca ka nisur aty ku u ndërpre dje, te debati për ligjin për minoritetet.
Fillimisht nga përplasjet e mesditës së të enjtes seanca u shty për pasdite, por sërish pati përplasje, pasi Flamur Noka nuk është bindur për të lënë sallën e Kuvendit duke bërë që seanca të shtyhet për sot në orën 08:30.
Në seancën e sotme nuk është Flamur Noka i përjashtuar me 10 ditë për bllokim të punimeve, ndërsa pritet qëndrimi i PD pas dy seancave të bllokuara.
Shtyja e seancës nga dje për sot, ka bërë që të shtyhet një pjesë e axhendës së planifikuar nga Rama për mbledhjen e qeverisë në Vlorë.
Kryeministri kishte planifikuar që ditën e sotme dhe nesër në Vlorë të zhvillonte mbledhjen e qeverisë.
Zhvillimet nga Kuvendi i Shqipërisë
Kryetari i grupit të LSI, Petrit Vasili kërkon që ligji për pakicat të mos votohet sot, pasi është në shkelje. Ai e cilësoi ligjin si konformizëm servil dhe shenjë e injorancës shtetërore.
“Seanca e djeshme mori një rrugë të gabuar. Tensionet e djeshme duhet të shmangeshin.
Ligji i pakicave për nga mënyra si është përgatitur nuk është për t’u miratuar sot, pasi është në shkelje të Kushtetutës dhe Konventave Kuadër Ndërkombëtare.
Projektligji nuk as koherencë dhe as standarde bashkëkohore. Ky është konformizëm servil, shenjë e injorancës shtetërore” tha ai.