LUP-JAVA, Kategoria Superiore java e 5-të

14 Tetor 2017, 14:54Sport TEMA

Nga Ervin Baku

Partizani u kthye! Pa Moxhin në stadium. Mos paska qenë ai “tersi”?… Iuliano i shpëtoi “Kozenzës”, vendit të tij të lindjes! Penalltitë kundër dhe pro ia ndriçuan mbrëmjen dhe Demi me siguri ka marrë frymë lehtë.

Teuta, e kemi thënë, të paktën deri tani, “e vogël” për të rivalizuar të mëdhatë. E tregoi edhe të enjten skuadra e Maganit, brenda parashikimeve.

E quajtën punë të mbaruar, mirëpo Skënderbeu për pak sa nuk u ndal nga kurbinasit në Korçë. Nika gjuati keq një penallti që, nëse do të konvertohej në pikë do të polemizonte gjatë. Laçi, me portretin e Mezanit, i këndshëm për t’u parë. Gjithësesi, “ujqërit” janë të pandalshëm. Ekspoze që i vlen shumë heroit Shehi. I lauruar nga universiteti i Korçës “Fan S. Noli” me titullin “Doctor Honoris Causa”. I artë! Hera e parë që një universitet shqiptar nderon një sportist.

Te Luftëtari kanë nisur problemet. Skuadra nuk përgjigjet në shtëpi dhe pas barazimit me Vllazninë, ja tek vjen e fiton Kamza. Për Ndreun kohë me “diell”. Mendon serbi Raçiç me dopietën e tij që, në një mënyrë, i dërgon një mesazh dhe Vllaznisë, kundërshtarit të radhës. Cungu e ka ndeshje “jete” të radhës.

Në Shkodër, pas barazimit me Flamurtarin e kanë pikërisht me Armandon. Atë të trajnimit të kuqebluve. Në fije të perit…! Ecën skuadra vlonjate. Madje, nëse nuk do të ishin ndëshkuar nga ajo penallti e dyshimtë mund të ishin ngjitur me kryesuesit. Koha po i jep të drejtë Duros, mjeshtrit të “vjetër”.

Në Myzeqe ka “sherr”. Festën e Lushnjës në ditën e rikthimit për të luajtur të parën shtëpiake të këtij edicioni e prish humbja me Kukësin. Kontestime të forta nga vendasit për gjyqtarin Hamiti. Shefat vendas: “Arbitrat punojnë për Gjicin”. E rëndë. Por Kukësi marshon.

Kryen detyrën dhe rikthehet të besojë se Skënderbeu nuk është larg.

Lup-Java kthehet shpejt, të dielën hap Skënderbeu – Lushnja, ndërkohë që e hëna do të konsiderohet si një ditë e “dielë”. Do të jetë e gjashta javë…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje