Të enjten Skënderbeu luan në Elbasan me Partizanin e Beogradit ndeshjen e tretë në grup të Europa League. Ngacmimet kanë nisur tashmë dhe shtypi serb, konkretisht “Kurir” dhe “Blic”, duke iu referuar një deklarate të mbrojtësit të korçarëve, Bajram Jashanicës, e konsideron gjithçka një provokim para ndeshjes.
Pas ndeshjes me Laçin, i pyetur për ndeshjen me Partizanin e Beogradit, Jashanica u shpreh: “Ne kosovarët e ndjejmë më shumë këtë ndeshje, sepse e dimë çfarë kanë bërë serbët ndaj nesh”. Kjo deklaratë është marrë nga shtypi serb dhe është interpretuar si një “provokacija” nga shqiptarët kundër serbëve, siç ata kanë predentuar gjithmonë.
Ndeshja e së enjtes pritet të ketë tension, edhe pse nuk mendohet të vijnë tifozë nga Serbia. Masat e sigurisë do të jenë të larta. Serbëve ndoshta u intereson më shumë tensionimi i situatës dhe ndonjë incident i mundshëm, por shqiptarët nuk mund të bien në kurth.